Agim Canaj nuk do të jetë më trajner I Vllaznisë. Vlonjati që ka drejtuar atë që nga fillimi I muajit gusht, paraditen e së hënës ka ndërprerë me mirëkuptim kontratën aktuale me klubin. Ai ka patur një takim me kryebashkiakun Luka në zyrën e tij paraditen e sotme dhe në fund është arritur akordi për të ndërprerë bashkëpunimin. Nga sa bën të ditur vetë klubi shkodran, palët kanë falenderuar njëra- tjetrën për bashkëpunimin gjatë këtyre muajve por kuptohet që situata aktuale kërkonte një ndryshim dhe për këtë është parë e arsyeshme të largohej trajneri. Po ashtu, nga ana e klubit bëhet e ditur se pas largimit të Canajt, do fillojë puna për gjetjen e trajnerit të ri.
Për momentin skuadrën në ndeshjen e parë të fazës së tretë, atë që do të luhet të mërkurën në Kukës, do ta drejtojë stafi aktual, I përbërë nga zëvendëstrajnerët Samuel Nikaj dhe Avenir Dani. Bashkë me to do ulet në pankinë edhe drejtori actual Armir Grima dhe të tre sëbashku do mundohen të bëjnë më të mirën në këtë ndeshje shumë të vështirë. Më pas, do shikohet mundësia për gjetjen e një trajneri tjetër. Në opinion përflitet emri I Armando Cungut megjithatë për momentin nuk ka asgjë konkrete sepse situata në skuadër nuk është aspak e mirë dhe në kushte të tilla vështirë që ta marrë kush përsipër drejtimin e Vllaznisë. Canaj gjithsesi sot është larguar. Në fakt ai e kishte pritur një gjë të tillë dhe e deklaroi që në konferencën për shtyp të pasndeshjes me Besën, të mbyllur në barazim 0-0. Ecuria e kuqebluve në ndeshjet e fundit nuk ka qenë aspak e mirë teksa ato kanë plot 9 takime pa fitore dhe në rrethana të tilla, ai që e ka pësuar ka qenë trajneri Canaj.
© shkodrasport.com