Boksierët e Vllaznisë janë kthyer me dy medalje të arta nga Mali I Zi. Krenar Zeneli dhe Syrjan Marinaj, kanë zënë vende të para në peshat respektive, në turneun ndërkombëtar të zhvilluar për dy ditë me rradhë në fundjavën që lamë pas pikërisht në qytetin e Hercegnovit të vendit fqinj. Shumë pranë fitores ka qenë edhe boksieri tjetër pjesmarrës, Kristian Shytani që për fatin e tij të keq është dëmtuar që në raundin e parë të ndeshjes finale duke mos u lejuar nga mjeku I ringut për të vazhduar garën. Megjithatë, paraqitjet e Zenelit dhe Marinajt, kanë qenë vërtetë mbresëlënëse.

Ata kanë boksuar ashtu siç duhet duke I fituar të dyja ndeshjet, si ato gjysmëfinale po ashtu edhe finalet ndaj kundërshtarëve të tyre. Zeneli është shpallur fitues në peshën 64 kg ndërsa Marinaj ka konkurruar dhe ka fituar në peshën 85 kilogramë. Pjesmarrës në këtë turne ndërkombëtar kanë qenë boksierë nga Mali I Zi, Shqipëria, Italia, Kroacia, Sllovenia, Austria, Serbia, Bosnjë- Hercegovina, Maqedonia e Kosova. Në mes boksierëve ka patur jo pak rivalitet dhe prandaj suksesi I Zenelit dhe Marinaj ka vlerën e vet. Prania e sportistëve nga 10 vende të Rajonit, tregon se vështirësia për të marrë medalje, ka qenë jo e vogël megjithatë ata kanë arritur të triumfojnë. Më së shumti për boksierin shkodran Syrjan Marinaj I cili po përgatitet të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të 18 vjeçarëve që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Sofje të Bullgarisë.
Gjergj Kola