Armando Cungu, është një nga alternativat më të mundshme për të marrë drejtimin e Vllaznisë. Shkodrani mësohet se ka marrë një ftesë nga drejtuesit e Vllaznisë, pas largimit të Canajt, por ende nuk ka vendosur asgjë për të ardhmen e tij. “Më kanë telefonuar që të dielën në mbrëmje për të marrë drejtimin e Vllaznisë, por nuk jam nxituar të marr një vendim në lidhje me faktin nëse do të jem apo jo në krye të skuadrës së Vllaznisë, në pjesën e mbetur të kampionatit. Kam kërkuar pak kohë të mendohem, pasi është një vendim shumë i rëndësishëm”, është shprehur Cungu.


Ndërkohë, tekniku ka dhënë edhe afatin e tij se kur do të japë një përgjigje për ofertën që i është bërë nga drejtuesit shkodranë. “Gjatë këtyre ditëve do të mendohem dhe përgjigjia ime përfundimtare do të jetë të mërkurën në mbrëmje. Nëse më shtyn diçka që ta pranoj ftesën, është ndjenja dhe detyra si shkodran dhe ish-futbollist i skuadrës, pasi situata në të cilën ndodhet ekipit është një aventurë profesionale”, ka përfunduar trajneri, i cili për momentin është shumë i kërkuar në kampin shkodran.