Muajin e ardhshëm në Sofje të Bullgarisë do të zhvillohet Kampionati Botëror I boksit për 18 vjeçarët. Një aktivitet shumë I rëndësishëm në të cilin do të marrë pjesë krahas shumë shteteve nga e gjithë Bota, edhe Shqipëria. Për këtë, ditën e djeshme Federata Shqiptare e Boksit ka përcaktuar edhe përbërjen e ekipit tonë kombëtar. Edhe këtë herë ai do të drejtohet nga trajneri I mirënjohur Zef Gjoni që do të ketë përkrah edhe trajnerin tjetër shkodran Jozef Sermi. Ndërkohë në përbërje të ekipit do të jenë 5 boksierë, përgatitjet e të cilëve në fakt kanë kohë që kanë nisur në Shkodër. Pjesë e kësaj kombëtareje do jenë boksieri I Flamurtarit Krenar Zeneli që do të konkurrojë në peshën 52 kilogramë, tre boksierët e Vllaznisë, Rexhildo Zeneli do konkurrojë në peshën 56 kilogramë, Erald Muhja në peshën 64 kilogramë dhe Syrjan Marinaj në peshën 75 kilogramë. Pjesë e ekipit do të jetë edhe boksieri I talentuar lezhjan Jurgen Uldedaj që do konkurrojë në peshën 81 kilogramë. Sipas drejtuesve të ekipit tonë përfaqësues, për këtë pjesmarrje në këtë Botëror Shqipëria do të ketë pretendime serioze. Aq më tepër që boksi ynë vjen pas një viti të suksesshëm sepse gjatë 2013-s siç dihet ka patur dy medalje bronzi në Kampionatet Europiane të 18 dhe 16 vjeçarëve nga Rexhildo Zeneli dhe Jurgen Uldedaj. Këto suksese pritet të përsëriten sërish sepse përgatitjet për Botërorin e Sofjes që do të zhvillohet në datat 10-15 prill, kanë nisur prej kohësh dhe forma e sportistëve tanë duket shumë e mirë.
Gjergj KOLA