Humbja me Dinamon javën e kaluar ende nuk ka kaluar plotësisht tek Besëlidhja dhe skuadra është munduar të nxjerrë mësimet e duhura nga ajo disfatë, por edhe të përgatitet për sfidën e fundit të fazës së dytë të kampionatit, atë që do të luajë nesër në Lezhë ndaj Erzenit të Shijakut.

Në prag të kësaj sfide, ka dhënë një prononcim për “Panorama Sport” njëri nga lojtarët më të mirë të skuadrës lezhjane, pikërisht Arsen Hajdari. Shkodrani shpreh bindjen që skuadra e tij do të bëjë kthesën e duhur në takimin e nesërm ndaj shijakasve.

‘Në ndeshjen e rradhës presim në Lezhë Erzenin i cili do të kërkojë fitoren për t’u përfshirë në katërshen e ekipeve të para të renditjes, ndaj e kemi të qartë se do ta kemi të vështirë. Jemi stërvitur intensivisht, duke rikuperuar energjitë fizike, por edhe gjendjen psikologjike pas humbjes shokuese ndaj Dinamos.

Ishte një humbje e papritur, pasi Besëlidhja është skuadra më e fortë e grupit A, ndoshta edhe më tej. Me Erzenin jemi të vendosur të fitojmë, jo vetëm për të marrë tre pikët, por na duhet të bëjmë autokritikë me vepra dhe jo me fjalë.
Besëlidhja do të ngjitet në Superiore, kemi përpara edhe një fazë të tërë, ndaj jemi të qetë”- ka thënë ai.

Arsen Hajdari është një nga futbollistët i cili me atë gol të shënuar nga 50 metra në ndeshjen e kthimit të kupës ndaj Partizanit, i dha kualifikimin Besëlidhjes dhe po ashtu edhe në ndeshjet e kampionatit ka qenë gjithnjë protagonist.

Mbetet për t’u parë vetëm ajo deklaratë e tij kur thotë se Besëlidhja është skuadra më e mirë e grupit A, kur në fakt renditja flet në favor të Kastriotit që kryeson renditjen aktualisht me 5 pikë më shumë sesa lezhjanët. Por ka ende edhe shumë ndeshje për t’u luajtur deri në fund dhe gjithçka mund të ndodhë.