Maldini Kacurri bën hapin e madh në karrierë. Lojtari i talentuar i Kombëtares U16 ka lënë skuadrën e të rinjve të Fulham dhe dje ka firmosur me Arsenalin U18.

Lajmi konfirmohet nga “Football London” që bën me dije se 16-vjeçari shqiptar është bashkuar me të rinjtë e Arsenal dhe vendimi është marrë nga drejtori i akademisë, Per Mertesacker që e shikon Kacurrin si një lojtar me shumë të ardhme.

Emri i talentit kuqezi, lidhet padyshim me legjendën e Milanit, Paolo Maldini dhe siç duket, Maldini Kacurri dëshiron të ndjekë gjurmët e ish-mbrojtësit italian.

Kacurri u aktivizua dje me Arsenal në sfidën ndaj Garuda Select, një shfaqje televizive në Mbretërinë e Bashkuar për lojtarët ndërkombëtarë që përpiqen të arrijnë në futbollin evropian.

Qendërmbrojtësi është pjesë e Kombëtares U17 të Shqipërisë dhe është aktivizuar në dy ndeshje. Pas Brojës, tani duket se do të ketë të tjerë talente shqiptarë që do të formohen në klube prestigjoze në Angli.