Vllaznia në dy ndeshjet e fundit ka fituar, pikërisht ndaj Korabit për kupë dhe më pas për kampionat ndaj Kastriotit. Në të dy këto ndeshje, një nga protagonistët kryesorë të kuqebluve ka qenë futbollisti Arsid Kruja.
Në të parën ka shënuar golin që solli kualifikimin në gjysmëfinale, ndërsa në të dytën dha asistin për Ardit Hoxhajn. Megjithatë tashmë këto janë lënë pas dhe të gjithë duken të fokusuar tek sfida e rradhës, ajo me Partizanin. Duke folur në lidhje me të, Kruja do të shprehej:
“Vllaznia futet në çdo ndeshje për fitore. Ky mentalitet na ka mbajtur në vend të parë dhe kështu besoj se do të vazhdojmë deri në fund të kampionatit. Janë edhe shumë ndeshje deri në fund dhe nuk mendoj se rezultati i ndeshjes ndaj Partizanit, mund të vendosë shumë gjëra.
Ne do të bëjmë punën tonë deri në fund. Vllaznia nuk merret as me aleanca apo faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në garë. Duhet të fokusohemi tek puna në fushën e stërvitjes dhe të ndeshjes. Nëse e bëjmë mirë punën tonë, do të vijnë edhe rezultatet”- është shprehur Kruja.
I pyetur se sa ka ndikuar tek skuadra fakti që klubi është drejt arritjes së marrëveshjes për licensimin e tij për në Kupat e Europës, Kruja do të përgjigjej: “Drejtuesit e kanë bërë punën e tyre, por edhe ne besoj se do të bëjmë më të mirën e mundshme në aspektin sportiv në mënyrë që Vllaznia të arrijë objektivat e saj”./SHKODRA-SPORT.COM/