Burreli mori një fitore me peshë në Vlorë, ku trepikëshi erdhi nga goli i shënuar nga Florenc Farruku në minutën e 49-të. Në analizën e djeshme drejtuesit e skuadrës përgëzuan lojtarët për lojën e zhvilluar dhe vunë theksin te sfidat e rëndësishme që i presin, duke nga e shtuna në shtëpi ku presin Vorën.

Një nga heronjtë e suksesit të Burrelit ndaj Flamurtarit ishte edhe portieri Sinan Dani, i cili bëri disa pritje vendimtare. Për “Panorama Sport” portieri shkodran i Burrelit u shpreh: “Zbatimi i përpiktë i detyrave të dhëna nga trajneri, ishte çelësi i suksesit të rezultatit pozitiv. U mbrojtëm mjaft mirë duke mos i lënë hapësirë kundërshtarit të veprojë.

Me fitoren e Vlorës kemi hedhur një hap të rëndësishëm. Përveç vlerës së tri pikëve, fitorja na çliron psikologjikisht dhe na jep besim për ndeshjet e ardhshme”. Ndërkohë për sfidën e radhës kundër Vorës, ai shprehet optimist se Burreli do të ketë të njëjtën “fytyrë” si në ndeshjen e fundit. “Jam optimist se edhe në ndeshjen e radhës do të bëjmë të njëjtën paraqitje.

Gjendja e mirë psikologjike që ekziston në skuadër na jep besimin e duhur dhe skuadra do të hyjë për të marrë fitoren e radhës. Besoj se Vora do të ketë fatin e Flamurtarit”, u shpreh portieri Sinan Dani, i cili prej dy sezonesh mbron portën matjane.