Arsid Kruja u zyrtarizua sot si afrimi i Teutës në këtë merkato dimri. Mesfushori me tipare sulmuese është përforcimi i radhës i ekipit durrsak, që në fakt ka pasur shumë largime gjatë kësaj periudhe. Në një prononcim për “Vipsport.al”, Arsid Kruja tregon arsyet që pranoi ofertën e Teutës dhe për largimin nga Vllaznia. Ndërprerja e bashkëpunimit me klubin kuqeblu ishte e papritur.

Kjo pasi futbollisti shkodran nuk ishte lajmëruar për largimin nga skuadra, por një gjë të tillë e kuptoi në momentin që pa veten jashtë listës së të grumbulluarve për në Ulqin, atje ku Vllaznia zhvilloi mini-fazën përgatitore. “Jam i kënaqur që firmosa për Teutën. Në fakt ishte presidenti i klubit që më bindi dhe oferta që ai më bëri, për të qenë pjesë e skuadrës durrsake. Objektivi im është të ndihmoj ekipin dhe të jap më të mirën time për të ngritur Teutën sa më lart në klasifikim. Largimi nga Vllaznia? Është e thjeshtë, nuk isha në planet e trajnerit Gjoka. Nuk ma merrte kurrë mendja që nuk do të shkoja në mini-fazën përgatitore. U habita kur nuk pashë emrin mes lojtarëve të grumbulluar. Fola me drejtuesit e Vllaznisë dhe u kuptua qartë se nuk isha në planet e tyre. Më pas bëra zgjedhjen time”, shprehet Arsid Kruja, i cili në Superligë ka luajtur edhe për Flamurtarin dhe Laçin./Vipsport/