Trajneri i futbollit Artan Bano ka qenë i ftuar në emisionin “Ora Sport” ku ka analizuar përballjen mes Vllaznisë dhe KF Tirana, një ndeshje që pati dy pamje të ndryshme për bardheblutë.
Tirana kaloi e para në avantazh me një gol të bukur nga Xhixha, por më pas nuk arriti ta ruante ritmin. Sipas Banos, reagimi i Vllaznisë pas golit të pësuar ishte vendimtar.
“Goli ishte shumë i bukur nga Xhixha, por Vllaznia nuk u çekuilibrua as në sulm, as në mbrojtje dhe ja doli të barazonte. Në pjesën e dytë nuk kishte më histori, luante vetëm Vllaznia dhe u duk që ndeshja do të përfundonte ashtu siç përfundoi.”– tregoi Bano.
Ai shtoi se dominimi i shkodranëve u konkretizua me golin e dytë dhe më pas me 11-metërshin e fituar nga Esat Mala, një aksion që, sipas tij, ishte meritë e skuadrës.
Në analizën e tij, Bano u ndal edhe te problemet strukturore të Tiranës, duke evidentuar diferencën mes fazës sulmuese dhe asaj mbrojtëse.
“Tirana ka fazën sulmuese shumë të mirë, me lojtarë si Xhixha, Enes dhe Tabaku, që do t’i donte çdo ekip që pretendon titullin. Problemi është faza mbrojtëse në grup, mbrojtja lë shumë për të dëshiruar, pikërisht aty ku Tirana ndër vite ka qenë më e fortë.”- shtoi ai.
Sipas tij, rënia e bardhebluve erdhi jo vetëm nga dobësitë e tyre, por edhe nga paraqitja e mirë e Vllaznisë, që shfrytëzoi momentin dhe mori një fitore të merituar.


