Sot pasdite në orën 17.00 është bërë në zyrat e klubit shkodran prezantimi para medias por edhe para skuadrës i trajnerit të ri të Vllaznisë Artan Bushati. Ai që e ka bërë një prezantim të tillë ka qenë administratori i klubit Fatos Gjyrezi i cili në lidhje me këtë ka thënë: “Po bëjmë prezantimin zyrtar të trajnerit të ri Artan Bushati. Unë si administrator ligjor I klubit Vllaznia kam firmosur pak orë më parë kontratën me të, pikërisht pas ndërprerjes me mirëkuptim të kontratës me ish- trajnerin Shpëtim Duro.

Figura e Bushatit është e njohur në skenën futbollistike teksa ka drejtuar për një kohë të shkurtër Vllazninë, pastaj Elbasanin dhe për 6 vjet me rradhë ekipin kombëtar Shpresa, ashtu siç ka qenë edhe anëtar I Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Detyra që ka marrë përsipër të drejtojë Vllazninë sigurisht që është e vështirë por duke pasë parasysh gjithë elementet që mbart me vete ky trajner”. Nga ana tjetër, trajneri Bushati ka thënë vetëm pak fjalë kur është shprehur: “Nuk është privilegj të jesh trajner I Vllaznisë aq më tepër në një situatë të tillë, por është një detyrë që obligon vetëm një qytetar të Shkodrës dhe si I tillë pranova për të marrë drejtimin e Vllaznisë në këtë situatë aspak komode. Për këtë Vllazni që janë shumë breza të cilët kanë kontribuar, duhet thënë se ajo është nëpërkëmbur nga rezultatet që ka arritur dhe shpresoj që nëpërmjet presidencës së re dhe bashkëpunimit me Bashkinë, stafin drejtues dhe të gjithë futbollistët pa përjashtim, duke pasë me vete edhe tifozërinë e zjarrtë shkodrane, shpresoj të bëjmë një kthesë sa më të shpejtë. Ndoshta sonte nuk është momenti të shfaqim objektivat apo platformat tona për atë që do të bëjmë për të ardhmen sepse do të nevojitej edhe prezenca e donatorit këtu për ta bërë një gjë të tillë, por besoj se Brenda pak ditësh do ta bëjmë këtë gjë”. Në këtë mënyrë, Vllaznia e ka tashmë trajnerin e saj. Ai është Artan Bushati që ka nisur menjëherë nga puna.
www.shkodrasport.com

Foto nga prezantimi i sotem i trajnerit Artan Bushati