Tek volejbolli shkodran pritet të ketë sërish ndryshime. Këtë herë tek ekipi i meshkujve dhe bëhet fjalë për një rikthim në krye të tij të një emri shumë të njohur, Artan Kalajës.

Kjo gjë ka disa ditë që diskutohet megjithatë në 2-3 ditët e ardhshme pritet të zyrtarizohet sepse ekipi shkodran do të bëjë federimin e lojtarëve dhe të stafit teknik për kampionatin e ri, kampionat ky që starton të dielën që vjen.

Nga sa bëhet e ditur, vetë pjestarët e ekipit kanë menduar një organizim ndryshe sivjet. Trajneri aktual Ermal Kraja ka kërkuar që të kalojë në pozicionin e ndihmëstrajnerit ndërsa për pozicionin e trajnerit të parë është propozuar Artan Kalaja.

Kuptohet që edhe vetë ky i fundit e ka mirëpritur një ftesë të tillë sepse jeta e tij është e lidhur me volejbollin dhe këtë e tregon më së miri fakti që ka qenë trajner për 28 vite me rradhë.

Megjithatë, për t’i zyrtarizuar këto lëvizje pritet konfirmimi përfundimtar i Klubit Vllaznia dhe i Bashkisë Shkodër, konfirmim që duhet të vijë shumë shpejt sepse kampionati është në prag. Në ndeshjen e javës së parë, Vllaznia do të presë në Shkodër ditën e dielë ekipin e Elbasanit dhe kuptohet që dëshira është për ta nisur me fitore.

Volejbollistët kuqeblu pritet të jenë pretendentë në sezonin e ri, pavarësisht se problem për ta mbetet gjendja fizike sepse deri para pak ditësh ata nuk janë lejuar të stërviten në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, megjithatë stafi pritet të bëjë më të mirën dhe Vllaznia të jetë ndër ekipet pretendente për fitimin e trofeve.