Vllaznia do përballet ditën e hënë me Egnatian në javën e 8-të të Superligës. Një ndeshje që pritet shumë interesante duke parë që të dy skuadrat kanë nga 9 pikë dhe në këtë përballje vijnë për tu shkëputur nga njëra-tjetra. Një takim që do ketë edhe rikthime në të shkuarën për disa prej futbollistëve të Egnatias.
Emra si Ndriçim Shtubina apo Demir Imeri do përballen me ish-ekipin e tyre. Apo edhe një si Bruno Telushi që do ketë përballë kuqeblutë me të cilët pati polemika gjatë merkatos së verës.
Por, nëse ka një emër që ka qenë makthi i Vllaznisë para disa sezoneve dhe më konkretisht në atë 2017-18, ku edhe shkodranët u rrëzuan nga kategoria është Arbër Çyrbja.
Anësori në atë sezon aktivizohej tek Teuta dhe do shënonte në dy takime kundër Vllaznisë, duke i dhuruar 6 pikë durrsakëve. Pikë që do ishin vendimtare në garën për mbijetesë, ku Teuta shpëtonte me 46 pikë e ndërsa Vllaznia rrëzohej në Kategorinë e Parë me 44 pikë.
Durrsaku u shndërrua në një “makth” atë sezon dhe të hënën pritet sërish në fushë kundër kuqebluve. E ai është ndoshta nga ata futbollistë të Egnatias që e dinë më mirë se çfarë do të thotë të shënosh kundër Vllaznisë.
Endri ÇINARI