Shqipëria doli me tri pikë të arta nga sfida ndaj Andorrës, falë kombinimit vendimtar mes Kristjan Asllanit dhe Myrto Uzunit, dy protagonistë që vulosën fitoren dhe ndezën festën te kuqezinjtë. Mesfushori dhe sulmuesi i kombëtares u shfaqën të lumtur pas ndeshjes, duke pranuar se takimi ishte më i vështirë nga sa pritej, por se triumfi është plotësisht i merituar.
Asllani, autor i golit të vetëm të ndeshjes, foli për rëndësinë e harmonisë në repartet sulmuese:
“Jemi shumë të lumtur për këtë fitore. Sa herë që gjejmë kombinime të mira, del gjithmonë diçka e bukur. Në pjesën e parë patëm vështirësi, sepse ata luanin fort dhe na mbyllnin hapësirat. Në të dytën ndryshuam ritmin dhe e morëm ndeshjen në dorë. Edhe falë sulmuesve që bënë punë të jashtëzakonshme.”
Nga ana tjetër, Uzuni, asistuesi i golit, nënvizoi rezistencën e Andorrës:
“Ishte një fitore e vuajtur ndaj një kundërshtari që luajti me shumë intensitet. U mbyllën pas dhe në duelet 1 kundër 1 na e vështirësuan shumë punën. Por qëndruam të qetë dhe gjetëm momentin e duhur.”
Asllani theksoi se ishte një ndeshje që kërkonte durim:
“Pati shumë vështirësi, sepse Andorra është nga ato ekipe që mbrohen me shumë veta dhe e bëjnë lojën të ngushtë. Sot thjesht duhet të festojmë. Në Tiranë do të ketë atmosferë të bukur dhe nesër fillojmë përgatitjet për Anglinë.”
Edhe Uzuni kishte të njëjtën linjë mendimi:
“Andorra është ekip i vogël, por që lufton për çdo top. Fitore e merituar. Nuk është momenti të analizojmë, por të shijojmë këtë arritje të madhe.”







