Përpara se të niset drejt Shqipërisë, Sandro Tonali ka dhënë një intervistë ku fokusi, e nuk kishte si të ishte ndryshe, është Milani. 22- vjeçari në fjalën e tij ka analizuar fitoren ndaj Fiorentinës, por nuk ka ngurruar as të zbulojë objektivat e kuqezinjve për këtë sezon.

Më 21 gusht, pas ndeshjes me Atalantën, i bëtë thirrje skuadrës për vëmendje. Në ç’pikë jemi?

Ajo ndeshje u luajt tre muaj më parë. Kishim zhvilluar një ndeshje të mirë dhe meritonim më shumë se një pikë. Krahasuar me sfidën me Fiorentinën kanë ndryshuar shumë gjëra. Formacioni ishte ndryshe, detyrat taktike po ashtu, për të mos folur për të dëmtuarit që i kemi me shumicë. Ajo që nuk ndryshon është shpirti i Milanit, ai që ka na transmetuar trajnerit në këto dy vite e gjysmë pune së bashku.

Një fitore që, siç tha Maldini, e morët me dhunë apo jo?

Nuk kishim rrugë tjetër për të mbyllur pozitivisht këtë 2022. Nga kampionati i sivjetshëm kemi luajtur 15 ndeshje e jo të gjitha shkuan siç do të kishim dashur, por nuk mund të themi se jemi të pakënaqur. Sigurisht, duhet edhe të përmirësohemi, por mbi të gjitha duhet që të shohim vetëm rrugëtimin tonë.

Çfarë mund të thoni për suksesin ndaj Fiorentinës?

Që erdhi me një gol për të cilin na dhanë shtysë tifozët tanë. Janë tri pikë shumë të rëndësishme dhe vlejnë shumë. Ndaj Fiores donim vetëm të fitonim, pavarësisht nëse luanim mirë apo keq. Edhe tifozët fundja nuk duan t’ia dinë se si luajmë, për sa kohë fitojmë dhe e bëjmë me forcë karakteri.

Edhe Vranks pati një impakt pozitiv?

Që nga dita e parë në skuadër Asteri është treguar shumë i gatshëm. E meriton të luajë e të përjetojë të tilla emocione, si ne që luajmë disi më shpesh. Është i ri, por tepër i zoti. Për më tepër është edhe djalë pozitiv.

Përse vuajtët aq shumë për atë gol të dytë?

Sepse humbëm disa raste, duke gabuar gjëra elementare. Me kalimin e minutave sytë shkojnë gjithmonë e më shpesh te kronometri dhe nuk po arrinim të bënim atë që duhej. Trajneri bëri disa ndryshime në formacion dhe disa korrigjime taktike. Dhamë shpirtin e në fund morëm atë që donim.

Pra meritat i takojnë Piolit?

Që të gjithëve do të thoja. Që nga tifozët, pa të cilët nuk rrimë dot. Në fushë e ndiejmë shtysën që na japin dhe ndihemi më të fortë. Meritat sigurisht i ndajmë edhe me trajnerin e njëri-tjetrin. Kjo do të thotë që objektivat mund t’i arrijmë vetëm së bashku.

Sa mund të ndikojë pushimi për Botërorin?

Në fakt kjo ndalesë mund të ketë efekte negative ose pozitive. Kishim nevojë, sepse kemi luajtur 21 ndeshje në më pak se tre muaj, çka është vërtet shumë. Sezoni pas Botërorit ka për të qenë i vështirë. Disa prej nesh kemi nevojë të pushojmë. Disa do ta bëjnë tani, ndërsa unë pasi të luaj me Shqipërinë dhe Austrinë.

Me çfarë ndjesie do ta ndiqni Botërorin?

Më lëndon fakti që nuk jemi aty dhe do të më dhembë edhe më shumë këtë muaj, sepse do ta kuptojmë edhe më shumë se kemi bërë një gabim të madh. Do të jetë e vështirë, por do të kalojë dhe ne duhet të shohim përpara.

A ishte ky viti më i bukur i karrierës suaj?

Kam pak vite karrierë, por mund ta vendosim të parin. Shpresoj se do të vijnë më të mirë. Përfundon një vit i mrekullueshëm, plot kënaqësi.