Sulmuesi i Kosovës që luan për Majorkën, Vedat Muriqi është një ndër golashënuesit më të mirë të La Ligës me 8 gola. Ai ndodhet në formën e tij më të mirë saqë ka rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve, kjo për shkak edhe të pamjes së tij. Disa ditë më parë, trajneri i tij e cilësoi si të shëmtuar.

Në një intervistë për “Sports Show”, Muriqi sqaroi deklaratën e teknikut të tij dhe gjithashtu zbuloi se kishte shumë oferta për të rregulluar dhëmbët e tij, por zgjodhi që të mos i ndryshonte.

“Trajneri më tha se isha i shëmtuar. Ai bën shumë humor, më pastaj biseduam bashkë dhe më tregoi se ishte batutë e tij. Unë e kuptova dhe kur më pyetën gazetarët, u shpreha se edhe trajneri im nuk është shumë i bukur. Unë nuk jam i bukur, por e quaj veten atraktiv.

Nuk dua të ndryshoj, kam pamje karakteristike. Ajo që më karakterizon janë dhëmbët.

Kam pasur shumë oferta në Turqi dhe Spanjë për dhëmbët, që të bëja ndërhyrje si sponsor për ta. Unë zgjodha që të vazhdoj me këto dhëmbë pasi jam shumë i kënaqur, pavarësisht pamjes jo të mirë”, tha Muriqi.