FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREMomenti për reflektim, pushimi vjen në momentin e duhur tek Vllaznia

Momenti për reflektim, pushimi vjen në momentin e duhur tek Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARi

Ndërprerja e kampionatit do t’i shërbejë Vllaznisë për të marrë pak frymë pas një starti aspak pozitiv të sezonit. Kuqeblutë do të kenë rreth tre-katër ditë pushim gjatë kësaj jave, duke i dhënë mundësi futbollistëve të shkëputen për pak nga presioni i ndeshjeve dhe të rikuperojnë forcat për vazhdimësinë e kampionatit.

Pas kësaj periudhe të shkurtër pushimi, fokusi do të rikthehet te puna në fushën e stërvitjes. Për momentin, seancat nuk pritet të kenë në qendër ngarkesat e mëdha fizike, por më tepër punën rikuperuese dhe ruajtjen e gjendjes së lojtarëve. Stafi teknik do të kërkojë që skuadra të rikthehet gradualisht në ritmin e duhur, pa rrezikuar lodhje apo dëmtime të reja.

Kjo pauzë vjen në një moment të rëndësishëm për kuqeblutë, të cilët kanë nevojë jo vetëm për rikuperim fizik, por edhe për një ndryshim në aspektin psikologjik. Rezultatet e javëve të para kanë ndikuar në atmosferën brenda skuadrës, ndaj këto ditë pushimi mund të shërbejnë edhe për të qetësuar situatën dhe për t’u rikthyer me një tjetër mentalitet në rifillimin e kampionatit.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe nuk përjashtohet mundësia që Vllaznia të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore. Një test i tillë do t’u shërbente shkodranëve për të mos humbur ritmin e garës dhe për t’i mbajtur futbollistët në gjendje optimale për momentin kur kampionati do të rikthehet. Për stafin teknik, një miqësore do të ishte gjithashtu një mundësi për të provuar alternativa të ndryshme.

Në ditët në vijim pritet që puna të fokusohet edhe te elementët që kanë shfaqur probleme në ndeshjet e fundit. Vllaznia ka nevojë për më shumë ekuilibër dhe siguri në lojë, ndërsa kjo pauzë mund t’i japë skuadrës kohën e nevojshme për të korrigjuar gabimet dhe për të përgatitur sa më mirë sfidat e radhës.

Kështu, për kuqeblutë bëhet fjalë për një pushim të shkurtër, por me rëndësi të veçantë. Pas disa javësh të vështira, skuadra do të tentojë të rikthehet me forca të reja dhe mbi të gjitha me një qasje tjetër psikologjike. Objektivi do të jetë që rifillimi i kampionatit të sjellë një Vllazni më të konsoliduar dhe të aftë për të reaguar pas rezultateve negative të kësaj periudhe.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments