Kanë kaluar pak më tepër se dy javë nga dhënia e dorëheqjes së Lazër Matisë nga posti i Presidentit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër dhe për momentin ende nuk dihet se kush do të jetë pasuesi i tij. Posti i presidentit aktualisht është bosh dhe duket se do të vazhdojë kështu edhe për disa muaj.
Po çfarë thotë statuti i kësaj Shoqate për një rast të tillë? Pika 4 e nenit 39 të tij shprehimisht thotë:
“Nëse pozicioni i presidentit bëhet vakant në kuptimin e këtij statuti, ai zëvendësohet nga Sekretari i Përgjithshëm deri në Asamblenë e Përgjithshme të ardhshme. Kjo Asamble e Përgjithshme do të zgjedhë Presidentin e ri për periudhën mbetur të mandatit”.
Rrjedhimisht në bazë të kësaj pike, Lazër Matija është zëvendësuar në këtë detyrë nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Shoqate Jetmir Podgorica. Statuti ia lejon atij të ketë të gjitha kompetencat e Presidentit për këtë periudhë të ndërmjetme.
Po kur do të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e kësaj Shoqate për të zgjedhur Presidentin e ri?
Neni 33 i statutit thotë: “Asambleja e Përgjithshme e zakonshme mbahet çdo vit dhe jo më vonë se data 30 mars”.
Kjo do të thotë se tashmë duhen pritur udhëzimet edhe nga Federata, por maksimumi që një situatë e tillë të vazhdojë në këtë mënyrë është data 30 mars e vitit që vjen. Megjithatë me shumë mundësi Asambleja do të mblidhet më përpara dhe bashkë me të do të zhvillohen edhe zgjedhjet për presidentin e ri që do të mbajë këtë detyrë deri në vitin 2030 kur dhe i mbaronte mandati presidentit të mëparshëm Matija.
Kandidaturat?
Ditët e fundit në opionin sportiv shkodran kanë filluar të qarkullojnë edhe emrat e parë për postin e Presidentit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, megjithatë për momentin dhe për arsye etike nuk kemi dëshirë t’i publikojmë por gjithsesi shumë shpejt ata pritet të bëhen publike.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



