Kristjan Asllani, një nga protagonistët e ndeshjes miqësore që Shqipëria fitoi 4-2 ndaj Jordanisë, foli pas sfidës për “SuperSport”, duke shprehur kënaqësinë për fitoren dhe formën e mirë që po kalon si në klub ashtu edhe në Kombëtare.

“Duhej pak festë, ishte e merituar. Ishte një ndeshje e vështirë, por e morëm seriozisht dhe fituam para tifozëve tanë. Jam shumë i lumtur për Armandon (Brojën), jemi miq të ngushtë dhe më gëzon fakti që asistova në golin e tij,” u shpreh mesfushori kuqezi.

Asllani foli edhe për rolin e tij në fushë:

“Sot luajtëm me skemën 4-2-3-1 dhe unë isha para mbrojtjes, një pozicion që e pëlqej shumë. Kam luajtur edhe si ‘numri 8’, por kur nuk prek topin çmendem, ndaj gjithmonë shkoj ta kërkoj që nga portieri.”

Lojtari i Torinos theksoi se është në formë të mirë falë aktivizimit të rregullt në klub:

“Kam luajtur 5-6 ndeshje radhazi me Torinon dhe ndjej se jam më mirë fizikisht. Minutat në klub më ndihmojnë shumë edhe në Kombëtare. Kur luan rregullisht, je më i qetë dhe më i fortë edhe mendërisht.”