Milani është ndalur me një barazim mbrëmjen e sotme ndaj Veronës së Rrahmanit e Kumbullës, pas pesë fitoresh rresht. Ndeshja ka qenë e ekuilibruar, me kuqezinjtë, që kanë mbajtur më shumë topin, por nuk kanë arritur të marrin fitoren, me Veronën që ka kaluar në avantazh e para me golin e Davide Faraonit.

Pas pësimit të golit Milani ka nisur të krijojë volum dhe ka gjetur golin me Hakan Çalhanoglu. Milani tentoi golin e fitores deri në fund, por nuk arriti të marrë fitoren, që e mbante në zonën e Europës.

Nga ana tjetër Lacio vazhdon me formën e saj të mirë dhe ditën e sotme Strakosha me shokë kanë shkatërruar SPAL, që vazhdon me situatën e vështirë dhe rënia nga Serie A afrohet çdo javë e më shumë. Një duel direkt edhe mes portierëve tanë, ku Strakosha triumfoi.

Gjithashtu mund të themi se Lacio u tregua e pamëshirshme ndaj një ishi si Berisha. Kaisedo dhe Imobile shënuan nga një dopietë dhe golin e fundit e shënoi Adekanje. Me këtë fitore Lacio ngjitet në vendin e dytë, duke parakaluar Interin.

Ndeshja tjetër mes Atalantës së Gjimshitit dhe Xhenoas ka përfunduar me rezultatin 2-2, ku të gjithë golat u shënuan në 35 minutat e para. Pas kësaj ndeshje Atalanta qëndron në vendin e katërt, e distancuar nga Interi i vendit të tretë dhe me pikë të barabarta me Romën një vend më poshtë.

Serie A, Java 22

Lacio-SPAL 5-1
Golat: Imobile 3’,29’, Kaisedo 16’,38’, Adekanje 58’

Milan-Verona 1-1
Golat: Faraoni 13’/ Çalhanoglu 29’

Atalanta-Xhenoa 2-2
Golat: Toloi 12’, Iliçiç 35’/ Krishito(p)19’, Sanabria 33’