Përfaqësuesja shqiptare do të jetë e plotë në ndeshjen me Anglinë, pasi për fat të mirë, sfida ndaj Andorrës ka kaluar pa probleme për skuadrën e Rejës.

Duke luajtur në një terren të vështirë si ai me bar sintetik, me të cilin lojtarët nuk janë mësuar, mendohej se lojtarët mund të kishtin probleme muskulore. Por për fat të mirë, kuqezinjtë kanë përballuar 90 minutat e kësaj sfide pa probleme, përveç lodhjes fizike që është normale.

Kështu, me kthimin në Shqipëri, ekipi ka zhvilluar një stërvitje shkrythëse në kompleksin “Tropical” në Durrës, duke menduar më shumë për rikuperimin e lojtarëve dhe vetëm nesër do të zhvillohen seancat stërvitore për të përgatitur taktikisht sfidën, edhe pse nuk priten shumë ndryshime në ekip në krahasim me duelin me Andorrën.

Stafi është më tepër i përqendruar që të ketë lojtarët në formën sa më të mirë fizike për këtë duel, por sinjalet e lojtarëve sa i përket gjendjes së tyre, kanë qenë pozitive e kështu Reja do të ketë luksin të zgjedhë për takimin në fjalë mes 28 emrave të grumbulluar. /vipsport/