Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, Astrit Hafizi, mendon se ekipi kombëtar ka dështuar plotësisht se misionin e tij në dy vitet e fundit dhe ka dyshime se Shqipëria mund të bëjë diçka nën drejtimin e Edi Rejas.
Duke marrë shkas nga ndeshja me Francën, ai ka bërë një analizë në “Top Talk” sipas të cilës mendon se ekipi nuk tregonte asgjë sa i përket krijimtarisë dhe nuk e cilëson këtë një grup të mirë futbollistësh, por një grup me lojtarë mesatarë e disa edhe mediokër.
Çfarë pa nga ekipi – “Asgjë për momentin të them të drejtën, nga ana teknike, se nuk flas me tifozllëk, nuk kam pse të bëj elozhe, kur nuk janë prezent. Janë zhgënjyes në të gjitha drejtimet në atë që është më e rëndësishme, koncepti i lojës lë për të dëshiruar.
Nuk flas për kë ishte përballë, kush ishte kundërshtari, forca e mundësi jonë. Sidomos kur kemi pasur kundërshtarë të tillë, gjithmonë është justifikim që përdorim, kaq janë mundësitë tona. Nuk është e vërtetë kur justifikojmë ekipin kombëtar duke folur në këtë mënyrë.
Ne kemi luajtur shpeshherë me kundërshtarë të tillë edhe 30 vjet e 40 vjet më parë. Po të kujtoj ndeshjen e para 30 viteve kemi humbur 1-0 me Francën, pas 30 viteve humbim 2-0,. A kemi ecur para apo mbrapa?
Nga rezultati, shohim lojën pastaj. Nuk gjuajmë asnjëherë në portë, nuk krijojmë raste e goditje, kundërshtari shënoi e gjuajti shtyllë, raste, vinte impenjim në portën tonë edhe pse me lojtarë kryesorë pushim. Pse duhet të justifikojmë mënyrën tonë se nuk kemi çfarë ti bëjmë Grizman apo të tjerëve?”.
Pse ndodh kështu – “Në qoftë se kthehemi pas, në retrospektivë duke patur parasysh epokën e trajnerëve të huaj, që kemi 15-16 vite që ne investojmë për trajnerë të huaj dhe konkluzioni është i tillë, mendoj unë, që ndryshimi me trajnerët tanë, që kemi qenë këtu, duhet të ishte një ndryshim në anën e konceptit të lojës dhe mentalitetit edhe asaj që duhet të ketë një skuadër.
Nuk është justifikuar se duke patur parasysh të gjithë këto vite që kanë kaluar, përjashtuar një kalim në Evropianin e 2016-s, unë mendoj që s’duhet t’ia lëmë rastësisë. Me të drejtë e mendoj sot se ka qenë një rastësi kualifikimi në atë grup që u krijuan ata situata që na favorizuan, e ne i shfrytëzuam.
Pas asaj, edicioni që shkoi i Botërorit e tani Europiani, mendoj që jemi mangët në atë koncept që të gjithë ato trajnerë nuk i dhanë ekipit kombëtar, një ide, një koncept, një loje të cilën ne akoma nuk kemi atë logjikën e lojës ose fantazinë, krijimtarinë. Atë marrëveshje të lojës njëri me tjetrin, veprime të sulmit që duhet të kemi, të mos kalojmë në krahasime me Kosovën”.
A duhet të vazhdojë Reja – “Ardhja e Rejas mendoj se ishte rastësi se filloi me Panuçin edicioni, po të ishte vazhdimësi nuk kishte pse vinte Reja. Gjërat filluan keq, me objektivat që mori skuadra, filloi Nations League që menduam të dilnim të parët e dolëm të tretët, edhe Europiani u eliminua tani.
Nga ardhja e tij gjithmonë nuk dihej objektivi, rrugës u prishën objektivat, edhe sot flitet që duhej krijuar ekip për më vonë. Ky trajner që kisha konsideratë të mirë për të, nuk kishte CV me trofe, por ishte një trajner që na përshtatej.
Por duke parë zhvillimin e ndeshjeve, sidomos të fundit, lë për të dëshiruar në idenë që e thashë përpara, nuk ka një bazë e bosht që ne duhet të kemi sinjale, nuk kemi një ide, një krijim të konceptit të lojës që përmenda. Mungon në krahasim me trajnerët tonë kur kanë drejtuar ekipin”.
Përbërja e ekipit – “Reja para ndeshjes tha kemi grup të mirë e nëse do të isha në fillim do të kisha bërë edhe më mirë. Unë mendoj se nuk kemi grup të mirë, kemi lojtarë mesatare, mund të them edhe mediokër diku tek-tuk që nuk e kuptojnë se loja e futbollit nuk është kush e mban topin, futbolli është edhe të jesh i padukshëm në fushë me veprime e me lëvizje, se topi është kryesori që lëviz.
Ne e kemi marrë përsëmbrapshti dhe lojtarët që vrapojnë duke mos e dhënë topin kujtojnë se janë më të mirët. Kjo ide i përket trajnerit, kjo duhet ndaluar e frenuar dhe ky futboll është i vjetruar”.
A ka dëmtuar krijimi i Kosovës – “Mendoj se po, na ka dëmtuar, shumë biles. Aprovimin e saj në FIFA e UEFA ne nuk e menduam, se kemi që nga 2003, me Hasin të parin mos gabohem e të tjerët me radhë që afrojmë lojtarë kosovarë.
Lojtarët i merrnim gati nga vende të ndryshme të Europës, aq më tepër lojtarët e Kosovës që kishin më shumë mundësi dalje e luajtje. Rriti nivelin e skuadrës por dëmtuam futbollin tonë. Si kemi luajtur më përpara, para 25 viteve? Baza ka qenë e Shqipërisë, nuk kemi pasur ekip me lojtar që i merrje një pasaportë e futej menjëherë në ekip. Krijuam një realitet që dihej që do vinte një moment e do të shuhej”.
A pasqyron kombëtarja nivelin e futbollit shqiptar – “Kombëtarja deri në një farë mase po, asnjë nga lojtarët e kampionatit nuk është në kombëtare me përjashtim të Trashit. Dashje pa dashje tregon një farë fytyre të kampionatit në ekip, realitetit.
Do ta vuajmë dëmtimin që i kemi bërë në këtë formë që kemi vepruar ne sepse edhe sot e kësaj dite ne vazhdojmë me ekipet e kombëtareve të U17, U19 dhe U21 që përsëri marrim lojtarë shqiptarë të Kosovës për të plotësuar ekipin. Kjo për mendimin tim është e pafalshme. Duhet të ndërrojmë politikën e zgjedhjeve të lojtarëve që vazhdojmë edhe sot nga FSHF.
Mendoj se është e gabuar, do vijë koha që ata të Kosovës nuk do të vijnë më te ne, do kërkojnë skuadrën e tyre me të drejtë, ka filluar që tani se e lexojmë në media. Kjo do të na prishë punë, do të kemi pasoja”.
Paraqitja e Kosovës – “Nëse i kthehemi ndeshjeve të fundit, ne me Francën e ata me Anglinë, unë do të preferoja më shumë të humbja 4-0 se një ndeshje si kjo me Francën. Mënyra e lojës, argëtimi dhe si shijojnë lojën, si dhe gjërat e futbollit modern me ardhjen e Shaland e ndeshjet që kanë zhvilluar, kanë krijuar emocione edhe pse kanë humbur.
Këtu duhet të arrijmë, që të paktën loja jonë të ketë një lloj dinjiteti e personaliteti në fushë, jo të dorëzuar në të gjitha drejtimet. Nuk ia qaj hallin Kosovës, do të ecë përpara. Në mos këtë edicion, në tjetrin, janë 6 vite që merr pjesë e investon e rezultatet do të vijnë”.
Nëse i duhet besuar trajnerëve shqiptarë – “Me ardhjen e Dukës ndryshoi edhe mendimi i trajnerëve. Kjo ishte e para që solli Duka, duke pasur idenë që trajneri të ishte i huaj. Nëse i kanë dhënë rezultat e ka pasur të drejtë, le të vazhdojë.
Por duke parë që nuk kemi shkuar para e avancuar, atëherë del pyetja, gjithë këto ardhje të huaja, pse të vazhdojnë në këtë formë, duke pasur mundësinë që edhe trajnerëve tanë t’u jepet një shans e mundësi, si më është dhënë mua e tjerëve që kemi kontribuar.
Puna e shpirti i trajnerëve tanë është më e madhe se çdo i huaj që vjen, ai i huaji me të vërtetë ka një kontratë, por nuk ia ndjen zemra e shpirti për ekipin kombëtar të një vendi tjetër. Ai mund të ndjejë të tijin. Ne kemi qëndruar pa gjumë për probleme e situata. AI nderon kontratën e leverdishme që ndoshta në vendin e tij nuk e gjen atë kontratë” /vipsport/