Shume diskutime rreth ndeshjes Vllaznia- Tirana, ishte apo jo 11-metersh ai pengim i Balajt, ishte apo jo e merituar fitorja e kuqebluve ne kete sfide qe ne fakt rihapi garen per titullin kampion.

Astrit Hafizi, nje nga specialistet me te mire te futbollit shqiptar, duke analizuar kete ndeshje ne emisionin “Studio Sport” ne Vizion Plus, emision ky i drejtuar nga moderatorja Vilma Masha, e ka konsideruar te merituar fitoren e Vllaznise.

“Vllaznia e meritoi fitoren. Ishte cinike dhe na duhet ta pranojmë se nuk zhvilloi lojën e saj më të mirë. Për të ishte shumë e rëndësishme kjo fitore duke pasë parasysh edhe distancën në renditje me Tiranën, i duheshin vetëm pikët.

Vllaznia shfrytëzoi edhe disa momente jo të mira të Tiranës e cila për hir të së vërtetës, me largimet e lojtarëve në merkaton e janarit, është më e dobët. Nëse ajo arrin sukses edhe pa ato lojtarët që i janë larguar, atëherë unë do të falenderoja shumë Shehin.

Dua të ndalem tek Balaj. E shoh që ai akoma nuk ka dalë në lojën e tij, ndonëse po flasim për një lojtar, vlerat e të cilit i njohim të gjithë. Megjithatë ai kthehet pas 12 vitesh dhe mund t’i shërbejë shumë ekipit të Vllaznisë.

Nëse ai hyn në lojë ashtu si duhet, do t’i bëjë shumë punë skuadrës sepse jo të gjitha ndeshjet mund t’i fitosh me një gol, prandaj duhet Balaj, të bëjë diferencën. Balaj është një ish- i Vllaznisë, vjen në qytetin e vet dhe nuk e ka shumë të vështirë të ambjentohet.

Të fitosh ndaj Tiranës nuk është e lehtë dhe prandaj Vllaznia duhet ta shijojë këtë gjë, por edhe të mendojë menjëherë për ndeshjen e rradhë ku i duhet të tregojë qëndrueshmëri dhe stabilitet në lojën e saj”- eshte shprehur Astrit Hafizi./SHKODRA-SPORT.COM/