Suksesi i ekipit Vllaznia U15 që sot pasdite u shpall kampion për Ligën Amatore, Zona e Shkodrës, ka gëzuar padyshim të gjithë pjestarët e tij. Njeriu që drejton këtë ekip, Astrit Prençi, ka dashur ta ndajë suksesin me të gjithë aktorët që kanë kontribuar në fushë dhe jashtë saj.

Në një intervistë për “Shkodra Sport” pas shpalljes kampion, ai është shprehur: “Ka qenë një sukses i pritshëm në fakt sepse kjo është hera e tretë që e fitojmë këtë titull kampion. Që të mos keqkuptohemi, jo tre vite rresht por e kemi fituar me futbollistë të datëlindjes 2000, 2001 dhe me këta të fundit të datëlindjes 2004.

Për ne nuk kanë shumë rëndësi kupat, por kemi të bëjmë me një ekip shumë të mirë, me djem dhe lojtarë të mirë që kanë sakrifikuar gjatë gjithë vitit dhe u shpërblyen sot me titullin kampion.

Unë jam krenar për këta djem, për prindërit e tyre por nuk mund të lë pa përmendur Ylad Piranin, ndihmësin tim dhe ndoshta mund të them me plot gojën se 70 për qind e këtij suksesi është meritë e tij dhe 30 për qind meritë e imja”.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me të ardhmen e këtyre lojtarëve, Prençi shton: “Pjesë e këtij ekipi që unë drejtoj janë 7-8 lojtarë që janë pjesë e ekipeve kombëtare. Unë si trajner i tyre e konsideroj privilegj punën me ta. Unë nuk dua të flas me emra sepse nuk më pëlqen kjo gjë, por disa prej këtyre lojtarëve janë shumë cilësorë.

Mendoj se këto mund të jenë për të ardhmen një grup shumë i mirë, por futbolli është edhe fat dhe shpresoj që fati t’i ndihmojë në karrierën e tyre. Ajo që dua të veçoj unë është rolin e prindërve tek ky ekip. Dua të them se asnjëherë nuk më ka rënë telefoni prej tyre. Ky është një rast për t’u përmendur në fakt.

Kam tre vjet që drejtoj këtë brez lojtarësh dhe akoma nuk ka ndodh të kem një pretendim “pse nuk luan ky”, “pse luan ai”, ose “djali im luan sulmues” apo “luan mbrojtës”. Janë disa prindër që dua t’i falenderoj 2 mijë herë sepse unë e di si funksionon futbolli në Shqipëri, prandaj gjej rastin t’i falenderoj ato”
© shkodrasport.com