Ecuria shumë e mirë që “Atletik Klub Shkodra” ka patur që në të parin vit të krijuar, i ka nxituar drejtuesit e tij të shohin për më tej. Ata janë duke parë tashmë edhe mundësinë e bashkëpunimit me specialistë të mirëfilltë të fushës nga vende me nivel të lartë futbolli.

Dhe hapi i parë është hedhur. Sot ka mbërritur në Shkodër një emër i njohur për futbollin e moshave në zonën e Torinos, trajneri Ermanno Di Maria që për një javë rresht do të shohë elementin e “Atletik Klub”, do japë këshillat e tij për trajnerët e saj për përmirësimin e punës dhe po ashtu do shohë secilin element me idenë e dhënies së mundësisë ndoshta për t’u stërvitur më pas në Itali.

I gjithë ky bashkëpunim ka nisur prej një lojtari të talentuar. Prej disa kohësh tek Akademia e Torinos është duke u stërvitur edhe një futbollist 13 vjeçar shkodran, pikërisht Amin Tahiri.

Ka qenë paraqitja e shkëlqyer e këtij lojtari që ka zgjuar interesin e drejtuesit të një shkolle futbolli të këtij qyteti për të parë mundësinë e bashkëpunimit me ekipin nga i cili ka dalë Tahiri.

Ky i fundit është stërvitur pikërisht tek “Atletik Klub” dhe lidhjet janë bërë menjëherë. Për këtë arsye, trajneri dhe drejtuesi i kësaj shkolle futbolli, Ermanno Di Maria ka mbërritur sot në qytetin verior të Shqipërisë.

Ai përfaqëson “ASD Exellent Scuola di Perfezionamento Calcistico” dhe vjen me idenë e mundësimit të zhvillimit tonë si staf nëpërmjet punës me individët e vegjël.

Shkolla e mësipërme e futbollit në Torino ka si objekt të punës së saj zhvillimin, përmirësimin dhe perfeksionimin e sportistit në anën individuale dhe është nga më të mirat në Itali në këtë profil.

Ardhja e Di Maria në Shkodër është bërë gjithashtu me qëllim evidentimin e talenteve dhe dhënien e një mundësie për t’u provuar tek skuadra që ai përfaqson. Pikërisht për këto arsye, drejtuesit e “Atletik Klub” kanë vendosur organizimin e një kampi stërvitor shtatëditor.

Duke filluar nga paraditja e së hënës dhe deri në fund të javës, Di Maria do të ndjekë me vëmendje dy seancat në ditë që do të zhvillohen me fëmijët e përzgjedhur të kësaj Akademie. Kampi stërvitor do të organizohet në kompleksin “Hasaj” në Golem, paradreke në orën 09.00- 11.00 dhe pasdreke në orën 17.00-19.00. Moshat pjesmarrese ne kete kamp stervitor, do te jene futbollistet e datelindjeve 2004, 2005 dhe 2006.

Drejtuesit e “Atletik Klub Shkodra” shpresojnë që ky kamp stërvitor të jetë pikënisja e një bashkëpunimi të gjerë dhe jo vetëm me këtë shkollë.

Sezoni i kaluar ka qenë mëse i mbarë për ekipet e kësaj shoqate në Shkodër sepse ato kanë siguruar pesë finale në Zonën e Veriut, si asnjë ekip tjetër. Projektet e kësaj Akademie janë shumë ambicioze dhe në fakt, të tilla duken.
Gjergj KOLA