Ditën e sotme në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” është zhvilluar Kupa e Ikonave “Feti Dizdari”. Një aktivitet i organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme nga Shoqata e Atletikës “Vllaznia” në bashkëpunim me Bashkia Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Atletikës.
Por përpos garave, është zhvilluar edhe një ceremoni shumë interesante për të vlerësuar katër prej figurave të shquara të atletikës shkodrane dhe shqiptare. Ka qenë Shoqata e Atletikës “Vllaznia” që u akorduar atyre një “Çertifikatë Mirënjohje” për kontributin e dhënë për këtë sport dhe për ekipin shkodran.
Janë nderuar me të protagonisti kësaj Kupe- Feti Dizdari teksa ka qenë kryetari i Shoqatës Albert Marashi që ia ka dorëzuar atë të birit- Agronit.
Po ashtu, është nderuar një kampione dhe rekordmene e Vllaznisë, njëkohësisht ish- sportiste e Feti Dizdarit, pikërisht Marije Gjoni (Dallëndyshja). Ky çmim asaj i është dorëzuar nga një shoqe e ekipit, ish- kampionia Nexhmije Bilali.
Po ashtu është nderuar ish- kampionia Ameljeta Hasi dhe në mungesë të saj pasi ndodhet jashtë vendit, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës Izmir Smajlaj, ia ka dorëzuar të motrës, Blertës.
Shoqata e Atletikës “Vllaznia” gjithashtu ka nderuar edhe vetë ish- kampionen Blerta Hasi dhe Çerifikata e Mirënjohjes për të është dorëzuar nga inspektori i sportit pranë Bashkisë Shkodër Alban Neziri.
Shkodra kësisoj edhe njëherë tjetër tregon se di t’i nderojë figurat e saj, ata që e kanë nderuar në vite dhe padyshim që ky ështv minimumi që mund të bëhet për ta, për t’ i thënë FALEMINDERIT për kontributin e tyre për Vllazninë në vite.(www.shkodrasport.com)