Faza në të cilën po “noton” vetëm pak orë pas startit të Serisë A është ajo e një reflektimi të thellë. Marko Xhampaolo nuk e ka vendosur ende, po e mendon, por diçka është e sigurt: të shtunën kundër Breshias nuk do të shihet i njëjti Milan që “interpretoi” në Udine. As në njerëz dhe ndoshta as në shpërndarjen taktike. Forma që pritet të marrë “Djalli” është pikërisht ajo mbi të cilën po studion dhe është projektuar thellësisht trajneri kuqezi.

NEVOJAT Pikësëpari moduli. 4-3-1- 2 i parë në aksion gjatë gjithë verës, në disa raste edhe me rezultate të kënaqshme, u hodh në erë që në 90 minutat e para, kur gjërat nisën të bëhen serioze.

Në aksion e sipër, gjatë lojës, rishfaqeshin shpesh edhe hijet e 4-3-3, sepse fundja nuk mund të asimilohet dhe të ndryshohet kaq shpejt karakter, por më e keqja është se ajo që në letër të jepte shpresa dhe ëndrra të mëdha, për një lojë më fluide dhe të paparashikueshme ishte dështimi më i madh. Tre fantazistë në fushë nga minuta e parë nuk dhanë asgjë që mendohej.

Çalhanoglu përpara mbrojtjes, me Paketan majtas në mesfushë dhe Suson pas dy sulmuesve Kastijeho e Piontek ishte një dështim i vërtetë. Për këtë arsye, siç e nënvizoi vetë pas humbjes me Udinen, por edhe informacioneve që rrodhën të hënën në mëngjes nga “Millanelo”, ishin se Marko Xhampaolo është i vendosur për të rikthyer “Pemën e Krishtlindjeve” me të cilën Karlo Ançeloti dhe Milani i tij fituan kudo dhe çdo gjë.

ZGJEDHJET Kjo do të thotë se 4-3-1-2 i Udines do të shndërrohet në një 4-3-2-1, për të mos e parë më kurrë në aksion Suson në zonat qendrore të fushës, apo edhe Çalhanoglunë që të marrë përsipër shpërndarjen e lojës. Madje, turku pritet të ulet në stol, në vend të të cilit do të luajë Benaser.

Për më tepër, Piontek me një sulmues në krah, në repartin ofensiv, ishte i humbur, prandaj polakut do t’i jepet mundësia që të jetë në qendër të sulmit, i vetëm, pasi në këtë mënyrë mund të ketë edhe një hapësirë më të madhe për të lëvizur, jo i humbur në korsitë anësore të zonës rivale, ku për asnjë moment nuk tregoi rrezikshmëri. Për më shumë, nevojitet edhe një shkatërrues në mesfushë, që të mund luftojë topat, pasi këto cilësi nuk i ka pasur dhe nuk do t’i ketë kurrë Çalhanoglu apo Paketa, ndaj njëri mes Bilias dhe Kesit nevojitet në fushë nga minuta e parë, apo edhe një prej blerjeve të reja si Rade Kruniç.

PSE DUHET KORREA

Ideja e Xhampaolos me grupin aktual është ajo që në “Pemën e Krishtlindjeve” të “varë” Paketan dhe Suson në mbështetje të Piontekut, për të ofruar më shumë teknikë dhe pasime drejt zonës, ndërsa mesfusha do të formohej nga Kesi, Bilia dhe Benaser. Pastaj, mos harrojmë se Milani dhe Xhampaolo presin edhe riaftësimin e një lideri, e një lojtari polivalent si Bonaventura, i cili ka ditur dhe di të bëjë më së miri urën lidhëse mes mesfushës dhe sulmit. Apo akoma më shumë, ideja për të afruar në skuadër Angel Korrean nga Atletiko e Madridit do të zgjidhte të gjitha problemet, të paktën në letër.

Argjentinasi mund të vepronte me Suson pas Piontekut, duke shtuar sasi dhe cilësi në mesfushë, me Paketan që mund të lëvizte në të majtë të mesfushës me tre, përkrah Benaserit. Një tjetër alternativë dhe ndoshta më e mira do të ishte ajo e një mesfushe me Bonaventurën, Paketan si organizator përpara mbrojtjes dhe Benaserin djathtas. Shkurt, alternativat ekzistojnë, por njëra pengohet nga problemet fizike (Bonaventura duhet ende të riaftësohet plotësisht) dhe tjetra nga merkatoja, me shpresën se Atletiko dhe Milani do të gjejnë shpejt akordin për Korrean.