Dita e parë e stërvitjes së Mohamed Salahut pas transferimit në Europë, ishte aq zhgënjyese, sa trajnerët e Bazelit dyshonin nëse kishin parë vëllain e tij binjak te klubi i El Mokaulonit në Egjipt.

Sulmuesi u transferua te kampionët e Zvicrës në vitin 2012 dhe trajneri Haiko Fogel kujton se ai dhe drejtori sportiv Georg Haic mbetën të befasuar për keq pas seancës së parë stërvitore të Salahut. “Po ta njohësh, nuk mendon se është një yll botëror. Ai ka një karakter kaq të butë”, tregon Fogel gjatë një interviste për “Goal” dhe “Spox” për lojtarin që është bërë një nga sulmuesit më të frikshëm në botë.

“Unë e kisha gjithnjë të qartë se ai është një lojtar i shkëlqyer, por a e kishte ai mentalitetin e duhur? Për këtë nuk isha i sigurt. Momo është vrasës i butë. Gege Haic dhe unë i thamë pasi erdhi: ‘Dëgjo, stërvitu si të kesh qejf, ne e kemi marrë vendimin për ty gjithsesi’. U stërvit në ditën e parë.

Të gjithë panë seancën dhe po mendonim nëse kishte ndonjë vëlla binjak. Dita e dytë ishte pak më e mirë, por jo mirë. Gege dhe unë pyesnim njëri-tjetrin për gjëra të thjeshta, si: ‘A e pe atë pasim?’ Por, në ditën e tretë ai shkatërroi gjithçka. Ishte me të vërtetë i pandalshëm.

Në dy ditët e para ai nuk ishte nervoz. Kishte vetëbesim, por u fut në një botë të re dhe duhet të ambientohej. Erdhi te ne nga Afrika e nxehtë. Nuk njihte ambientin dhe gjuhën”.