Sfida e shtëpisë me Vllazninë ka bërë që ballshiotët të jenë të fokusuar maksimalisht për të përmirësuar situatën dhe për të synuar fitoren në “Adush Muçaj”. Bylisi po ndjek një axhendë strikte në prag të këtij dueli, me regjim grumbullimi dhe stërvitje intensive.
Tri javë nga fundi i fazës së parë, në Ballsh janë të angazhuar për t’u rikthyer te fitorja. Skuadra i ka të gjitha mundësitë, jo vetëm sepse luan në fushën e vet, por edhe sepse kundër pretendentëve këtë sezon ka ditur të marrë rezultate.
Në 6 javë, Bylisi ka arritur vetëm një fitore ndaj Partizanit në Ballsh me rezultatin 3-1, ndërsa ka regjistruar edhe tri barazime. Krahas drejtuesve të klubit, që çdo ditë janë parë në stërvitje duke diskutuar me stafin, edhe një grup tifozësh ndjek rregullisht seancat për të parë nga afër të rejat më të fundit. Bruno dhe Përgjoni janë me grupin, ndërsa pjesë e rëndësishme e skuadrës është edhe Aurel Marku, mbrojtësi shtatlartë që ka fituar vendin e titullarit dhe është kthyer në një nga pikat e forta të Bylisit.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Marku u shpreh: “Jam shumë i kënaqur nga aventura me Shpresën. Luajta titullar me Kombëtaren dhe jam përpjekur të jap maksimumin. Tashmë jam bashkuar me Bylisin për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës me Vllazninë, një kundërshtar i fortë që e kemi vlerësuar siç duhet, por luajmë në shtëpinë tonë dhe na duhen 3 pikët. Skuadra është thuajse e plotë dhe jemi të etur për pikë, sepse vijmë nga një disfatë jo e merituar në Durrës, ku në gjykimin tim duhej të dilnim me pikë.
Ndeshja nuk i ngjan ndeshjes, por në shtëpi duhet të fitojmë për të qenë më stabël si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në renditje. Ndryshe nga vjet, që vija pas një periudhe të gjatë dëmtimi, këtë sezon e kam nisur si titullar dhe po bëj maksimumin. Ndeshje pas ndeshje, forma ime ka ardhur në rritje. Synimi im është që me Bylisin të marr sa më shumë minuta dhe të rritem në të gjitha aspektet sa i përket formimit tim”.