Auron Miloti, një nga emrat më të shquar të futbollit shkodran në vitet ’90-’00, është i bindur se zërat e fundit që dalin nga klubi kuqezi se kriza e Vllaznisë ka ardhur nga situata e fushave stërvitore apo edhe nga vonesa e rrogave, nuk kanë lidhje me realitetin. Sipas tij, Vllaznia po vuan aktualisht një neglizhencë edhe nga lojtarët e vetëkënaqësia që i ka gjetur të papërgatitur.

Në “Zona Gol”, ish-sulmuesi shkodran theksoi se Vllaznia duhej të zgjidhte më parë këtë ngarkesë psikologjie që i ishte krijuar nga mungesa e rezultateve, e cila kishte ardhur paralelisht me forcimin e rivalëve të saj.

“Ana psikologjie te lojtarët e Vllaznisë më duket se ka një rënie, ndoshta edhe nga mobilizimi a forcimi i skuadrave pretendente si Laçi, Teuta apo Partizani. Ndonjë neglizhim apo vetëkënaqësi e lojtarëve, ndoshta ka bërë që edhe ndeshjet e fundit nuk i kanë zhvilluar siç duhet.

Por mendoj se është më shumë ana psikologjike. Problemet si rroga e fusha, kanë qenë gjithmonë, jo tani, por 20 vite kanë qenë gjithmonë aty. Ajo e fushës nuk ka lidhje, as rrogat, kjo është hajde t’ia lëmë asaj. Duhet të përqendrohen te loja që bëjnë apo ana psikologjie, por jo të fusha apo rroga. Jemi në vetëkënaqësi dhe problemi kryesor është të vetë shkodranët dhe jo te gjërat e tjera.

Ekipet e tjera janë forcuar shumë. Për mua Laçi dhe Partizani janë dy ekipet që deri tani po luajnë më bukur futboll. Forcimi i tyre është pasoja e kësaj që vjen te Vllaznia.

Futbolli nuk është vetëm fjalë, shprehet në fushë. Shpresoj si shkodran e tifoz i Vllaznisë për një fitore të hënën ndaj Kukësit. Është shumë e vështirë, se edhe Kukësi është ekip shumë i fortë, por shpresoj se jam tifoz e do të jem edhe kur të mbarojë kampionati”, tha Miloti. /vipsport/