Liridon Latifi shënoi golin e parë me fanellën e Vllaznisë në miqësoren e së martës ndaj Tërbunit. Goditja më e madhe në merkato e klubit shkodran duket se po merr veten plotësisht dhe është gati për të nisur një sezon me pritshmëri të larta me fanellën kuqeblu.

Në një intervistë ekskluzive, 27-vjeçari që u rikthye në Kategorinë Superiore pas katër viteve mes Hungarisë dhe Moldavisë, në klube si Pushkash dhe Sherif Tiraspol, tregon pse bëri këtë zgjedhje dhe pikërisht vendimin për të luajtur me Vllazninë.

Edhe pse e shikon të vështirë, ai beson se klubi shkodran mund të hapë një cikël fitues dhe të bëhet si Skënderbeu i artë, ku Latifi shkëlqente deri në vitin 2018. Sulmuesi i krahut beson se me paraqitjen që do të bëjë këtë sezon me Vllazninë, do të grumbullohet sërish nga Kombëtarja shqiptare.

Liridon, goli i parë për ju me fanellën e Vllaznisë vjen në një miqësore. A ka diçka të veçantë që kërkoni ta ndani me lexuesit e gazetës?

Po, sepse unë jam bërë baba javën e kaluar dhe normalisht që ky gol i parë shkon për djalin e sapolindur. Pavarësisht se ishte thjesht një miqësore, sërish mund të them se ishte një ndeshje e vështirë për ne, pasi vijmë nga stërvitje me shumë ngarkesa. Ishte një fitore e ëmbël për mua dhe tashmë po përgatitemi për finalen e Superkupës me Teutën.

Riktheheni në kampionatin shqiptar pas katër vitesh, atëherë kur tifozët mbajnë mend një Latif në superformë. Mendoni se mund të jetë ky sezoni që do të rikapni formën që keni pasur dikur?

Shpresoj që po. Jam duke punuar për këtë, por siç e patë edhe ju, në miqësoren e fundit isha jashtëzakonisht i lodhur për shkak të ngarkesave të mëdha që kam pasur së fundmi, por unë besoj shumë se do të vij në ditët e mia më të mira.

Sa shanse ka që Vllaznia të bëjë atë që bëri Skënderbeu, duke hapur një cikël fitues?

Po, ka shumë shanse. Normalisht nuk është asgjë e pamundur që Vllaznia të ketë një cikël fitues. Unë mendoj se siç është duke u ndërtuar skuadra më pëlqen shumë dhe mund të jemi një grup me mentalitet fituesi.

Në sezonin e kaluar Vllaznisë i iku titulli kampion nga duart vetëm për shkak golavarazhi. Si e shikoni tashmë skuadrën në krahasim me rivalët?

Normalisht që e shikoj pretendente Vllazninë, pasi presidenti ka punuar në këtë drejtim dhe uroj që të ketë edhe ndonjë afrim të ri. Unë shpresoj shumë se do të dalim aty ku po mendojmë.