Ish- futbollisti Auron Miloti është i mendimit se rezultatet e fundit negative të Vllaznisë kanë ardhur ngaqë është prishur fryma e grupit, pikërisht ajo që ka qenë pika më e fortë e saj në fillimin e sezonit.
Sulmuesi i njohur shkodran ka qenë i ftuar në emisionin “Ora Sport” teksa duke folur për Vllazninë është shprehur në këtë mënyrë:
Deri tani Vllaznia po na dhuronte një futboll të bukur, i bëri të gjithë shkodranët të ëndërronin, por futbolli ka edhe uljet dhe ngjitjet e saj.
Si ish- lojtar i Vllaznisë, si tifoz i saj, si shkodran, vazhdoj të besoj por e pranoj që do të jetë shumë e vështirë që ajo të dalë kampione.
E kam thënë edhe në fillim se Laçi ka një ekip shumë të mirë, shumë të fortë. Në fillim të kampionatit ekipe si Laçi, Tirana, Partizani e Teuta kishin probleme. Kjo gjë u shfrytëzua nga Vllaznia që i bëri një fillim të shkëlqyer kampionatit.
Ana psikologjike e futbollistëve pas rezultateve të javëve të fundit sigurisht që ndikon shumë. Dhe kur është ana psikologjike poshtë, fillon edhe ana fizike të çalojë sepse po nuk i pate mendtë në rregull, pastaj vijojnë problemet tek këmbët.
Vllaznia pikën e saj më të fortë kishte grupin, por ky grup duket se u prish në ndeshjet e fundit dhe si rrjedhojë erdhën edhe këto rezultate. Por unë vazhdoj të besoj deri në fund sepse shanset për ta mbyllur sezonin në mënyrën e duhur i kanë sërish”./SHKODRA-SPORT.COM/