Auron Miloti, drejtues i zyrës së sporteve në Bashkinë Shkodër si edhe ish-futbollist dhe ish-pjesë e stafit teknik të Vllaznisë në të shkuarën ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Në fjalët e tij ish-sulmuesi 3 herë kampion i vendit me Tiranën ka analizur ekipin kuqeblu. Duke cilësuar se i sheh në rrugën e duhur pavarësisht ndoshta momentit jo më të mirë që po kalon ekipi i Martinit.
Shkodrani thotë se ka besim totalisht tek skuadra, stafi teknik e po ashtu futbollistët, por nuk do të nxitohet për të thënë se ky është viti i titullit kampion. Teksa në fund ndan edhe një mendim për ndeshjen e radhës në kampionat të kuqebluve kundër Partizanit.
Miloti, si e keni shikuar ekipin e Vllaznisë në periudhën e fundit?
Them se janë aty ku duhet dhe brenda çdo lloj objektivi, në krye të tabelës dhe në gjysmëfinalet e kupës. Pra, “kokë e këmbë” duke luajtur për gjithçka këtë edicion. I shoh totalisht në rrugën e duhur dhe uroj të vijojnë kështu deri në minutën e fundit të kampionatit. Tashmë gara do “nxehet” shumë, s’do ketë asnjë ndeshje të lehtë dhe gjithçka do jetë një luftë, ndaj ekipi duhet të jetë i përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht për më tepër.
Si e mendon duelin e radhës në kampionat, ku Vllazninë e pret transferta me Partizanin?
Ndeshje shumë e fortë, Partizani tashmë duket se ka gjetur vetveten dhe është një kundërshtar shumë i rrezikshëm. Po ashtu dueli luhet në transfertë që e bën edhe pak më të vështirë për Vllazninë. Por, tradita e sezoneve të fundit flet në favor të kuqebluve dhe them se edhe kësaj radhe nuk do e prishin “trendin”. Besoj se Vllaznia ia del me një rezultat pozitiv kundër Partizanit në këtë fundjavë.


