Me sa duket në Kosovë nuk e kanë kapërdier ende faktin se Ardian Ismajli zgjodhi të vishte fanellën kuqezi dhe jo atë të “Dardanëve”. Kjo kuptohet nga statusi në rrjetet sociale i babait të futbollistit, pak minuta pas firmës së tij me Specian, në të cilin ai ka akuzuar persona të cilët nuk i identifikon, se janë munduar me çdo kusht të pengojnë karrierën e mbrojtësit.

Ilmi Ismajli ka bërë të ditur se futbollistit i ishte ndalura edhe udhëtimi nga Prishtina, me tentativën për të arrestuar mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare të futbollit.

“Falënderimet e panumerta i takojnë teë madhit Allah që na mbron nga kurthet e njerëzve të këqij. E në veçanti që na ndihmoi të shkojë Ardiani për Itali të kryejë testet mjekësore, nga njerëz që nuk ia duan të mirën këtij vendi, nga njerëz që kishin planifikuar t’ia shkatërrojnë karrierën. Falë Zotit na bëri të jemi gjakftohtë sepse ishte planifikuar edhe arrestimi i tij vetëm e vetëm që të mos e lejojnë fluturimin nga aeroporti i Prishtinës.

Kur e panë që nuk po biem në kurthet e tyre na urdhëruan që të largohemi nga aeroporti dhe të shkojmë në aeroportin e Tiranës me pretekstin sepse ju luani për Shqiprinë.

Zot na mbro nga këta fanatikë, mbroje edhe popullin në përgjithësi.

Ardian ty të urojmë suksese dhe realizimin e ëndrrave që me shumë sakrificë i ke kthyer në realitet”, shkruante Ilmi Ismajli. /vipsport/