Situata me dëmtimin e francezit Benxhamë Pavar është ende e paqartë në Mynih, prandaj Bajerni po kërkon që të mbyllë sa më shpejt një tratativë me PSG-në. Në listën e dëshirave të gjigantëve të Bundesligës qëndron Tilo Kehrer.
24-vjeçari nga Burundi, por me kombësi gjermane nuk duket shumë i lumtur me hapësirën që ka marrë në dy sezonet e fundit në Paris, prandaj lojtari i rritur mes Shalkes dhe Shtutgartit do të ishte shumë i lumtur që të kthehej në Gjermani.
Dhe siç raporton media transalpine, bisedimet mes palëve kanë ecur mjaft mirë, aq sa PSG-ja ka vendosur të pranojë së fundmi ofertën prej 12 milionë eurosh, të bërë nga drejtori sportiv bavarez, Hasan Salihamixhiç dhe me shumë mundësi, brenda orëve të ardhshme do të vijë edhe zyrtarizimi.
Tilo Kehrer mësohet se ka qenë edhe lojtar i sponsorizuar nga Hansi Flik, duke qenë se trajneri jo vetëm e ka futur në skanerin e tij të mbrojtësve të djathtë që mund të grumbullohen në ndeshjet e ardhshme të Kombëtares gjermane, por me sa duket ai e ka dashur Kehrerin në Mynih që në sezonin e kaluar.
Dhe nëse nuk ndodh ndonjë surprizë e pakëndshme në orët e ardhshme, Bajerni do të ketë blinduar në këtë mënyrë korsinë e djathtë të prapavijës, në pritje të rikuperimit të plotë të francezit Benxhamë Pavar.