Laçi i drejtuar nga Naxhi Shensoj vijon marshimin e sigurt drejt realizimit të objektivit madhor: ngjitjen direkte në Kategorinë Superiore. Në fundjavë, kurbinasit u treguan pragmatistë dhe efikasë, duke mposhtur Luftëtarin me shifrat minimale 1-0, falë golit vendimtar të Sandër Kalajt. Skuadra bardhezi duket se nuk e duron qëndrimin në Kategorinë e Parë dhe, javë pas jave, konfirmon ambiciet e saj për rikthimin në elitën e futbollit shqiptar.
Trepikëshi i marrë jo vetëm që forcon pozitat e kurbinasve në krye, por njëkohësisht nuk u jep hapësirë rivalëve direkt, si Skënderbeu për t’u shkëputur apo Pogradeci për t’u afruar. Takimi nisi me intensitet nga të dy kampet, por ishin vendasit më këmbëngulës në ndërtimin e aksioneve.
Në minutën e 24-t, pas një aksioni të rrjedhshëm nga krahu i djathtë, topi u servir në zonë dhe Sandër Kalaj u tregua i vëmendshëm, duke e dërguar me një prekje në rrjetë dhe duke ndezur entuziazmin në Laç.
Sulmuesi me origjinë nga Bajza e Malësisë së Madhe është shndërruar në një nga protagonistët kryesorë të ekipit laçian dhe po e udhëheq atë drejt rikthimit në Superligë. Të mos harrojmë se ai është vetëm 21 vjeç, por po tregon vlerat e tij më të mira dhe shikohet si një element me shumë të ardhme.


