Është mbyllur në barazim 3-3, dueli mes Arsenalit dhe Sauthempton, i vlefshëm për javën e 32-të të Premier Ligës.
Një përballje dramatike, që prodhoi plot 6 gola, teksa “Topçinjtë” e Artetës, shohin titullin t’iu rrëshaqëse nga duart.
Ky ishte hapi i tretë fals për Arsenalin, që në 5 duelet e fundit kanë regjistruar 2 fitore dhe 3 barazime, ndërkohë që tashmë diferenca me Sitin e vendit të dytë është vetëm 5 pikë, teksa “qytetarët” e Guardiolës kanë 2 ndeshje më pak.
Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 1-2, ku për miqtë shënuan Alkaraz dhe Uollkot, ndërkohë që për Arsenalin realizoi Martineli.
Edhe pjesa e dytë prodhoi 3 gola fillimisht ishte Kaleta-Car, që shënoi golin e tretë për Sauthemton në minutën e 66-të, ndërkohë që Odegard dhe Saka shmangën humbjen e “Topçinjve” në minutat 88 dhe 90.
Pavarësisht tentativave, Arsenali nuk arriti të përmbyste sfidën, duke zhgënjyer kështu për herë të tretë radhazi.