Futbolli shkodran është përfshirë në disa derbi dhe kjo, falë disa klubeve të futbollit që janë krijuar dhe po funksionojnë me mjaft cilësi në qytetin e Shkodrës. Dy nga ato janë edhe Shkodra dhe Djelmnia Shkodrane, të cilat janë ballafaquar ditën e sotme.

Kështu, Djelmnisë Shkodrane U17 i ka ikur fitorja nga duart pikërisht pak minuta para fundit të kohës së rregullt në ndeshjen “derbi” ndaj Shkodrës, e cila u luajt në kompleksin “Zmijani” dhe është mbyllur në shifrat e barabarta, 1-1.

Në fakt, në fushën e lojës kanë qenë futbollistët 17-vjeçarë të të dy ekipeve, të cilët për hir të së vërtetës kanë demonstruar një futboll të bukur, por edhe rivalitet mes të dyja skuadrave. 

Në barazim 0-0 ka përfunduar pjesa e parë e kësaj ndeshje, ndërkohë që në dytën, të parët që kalojnë në avantazh janë futbollistët e Djelmnisë Shkodrane. Kështu, ka qenë Vitaj, i cili në minutën e 56-të tund rrjetën e Shkodrës, duke kaluar në avantazh Djelmninë Shkodrane.

Në vazhdim, ekipi i Djelmnisë Shkodrane e ka kontrolluar si duhet lojën dhe kjo krijoi përshtypjen se ndeshja do të mbyllej me fitoren e tyre, por nuk ka ndodhur kështu. Gëzimi i golit të tyre qëndroi në fuqi deri në minutën e 82-të, sepse Agraja dërgon topin në rrjetë, duke barazuar rezultatin për Shkodrën. Barazim ky, i cili qëndron në fuqi deri në fund të ndeshjes dhe kështu është mbyllur gjithçka në barazim, 1-1.

Kështu, pas javës së 21-të të Superiores së moshave, për kategorinë e grupmoshës U-17 dy ekipet shkodrane, Shkodra dhe Djelmnia Shkodrane për rrjedhojë, janë poshtë mesit të tabelës së klasifikimit, përkatësisht Shkodra në vendin e shtatë me 16 pikë dhe Djelmnia Shkodrane në vendin e parafundit me 8 pikë.

Maringlen ZHIVANI