Në barazim 0-0 është mbyllur pjesa e parë e ndeshjes që po luhet në
stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës në mes Ilirisë vendase dhe Vllaznisë, e vlefshme për javën e nëntë të kampionatit të kategorisë së parë.

Gjatë 45 minutave të para, shkodranët kanë qenë më të qartë në fushë, kanë administruar lojën me një qarkullim më të madh të topit megjithatë i kanë munguar rastet e shënimit.

Si vendasit ashtu edhe shkodranët kanë patur vetëm nga një rast në këtë pjesë, sigurisht shumë pak për të treguar se duan ta fitojnë ndeshjen megjithatë në dispozicion kanë edhe 45 minutat e dyta për ta bërë këtë gjë.

Skuadra shkodrane e nisi ndeshjen me këtë formacion: Në portë Sherri ndërsa në mbrojtje janë Gocaj, Ignat, Zeqaj dhe Gyrishta. Për mesfushën trajneri Lika ka zgjedhur Krymin e Tafilin në qendër si dhe Likën e Hajdarin në krahë. Në sulm ndërkohë përveç Zogajt që luajti paksa i tërhequr ka qenë braziliani Zhunior.