Duhej të ishte ndeshja e tij e fundit në rast dështim në takimin e sotëm ndaj Apolonisë dhe ndonëse Kukësi nuk ka fituar, Armando Cungu vazhdon të jetë trajner i kësaj skuadre. Barazimi 0-0 në takimin e luajtur sot në Fier, ka sjellë për rrjedhojë edhe shumë polemika tek skuadra kukësiane. Burime pranë skuadrës bëjnë të ditur se drejtuesit kanë qenë të ndarë në dy kampe. Në njërin ka qenë presidenti Gjici me disa të tjerë ndërsa në krahun tjetër, ata që i kanë dalë në mbrojtje Cungu kanë qenë donatorët e tjerë dhe kryebashkiaku Halilaj. Ashtu siç kishim paralajmëruar në mes të kësaj jave, trajneri shkodran kishte marrë njëlloj ultimatumi nga drejtuesit e klubit se në rast se nuk fitonte ndaj Apolonisë mund të shkarkohej. Çdo gjë dukej e llogaritur mirë madje thuhej edhe se Starova do sillte në krye të skuadrës së Kukësit mikun e tij- Hasan Lika. Por dalja në media e kësaj prapaskene, ka sjellë një reagim të madh tek disa prej sponsorëve të Kukësit që nuk kanë qenë aspak dakord me këtë lëvizje. Ata kanë vlerësuar së tepërmi punën dhe seriozitetin e Cungut dhe ndonëse skuadra nuk ka fituar ende, kjo nuk ishte shkak për ta shkarkuar atë. Paraqitja e Kukësit sot në Fier në fakt ka lënë shumë për të dëshiruar teksa është dalluar qartë se disa prej futbollistëve kukësianë kishin dëshirë që skuadra të humbiste dhe trajneri Cungu të shkarkohej. Megjithatë kjo nuk ka ndodhur sot dhe tashmë duhet të presim ndeshjen e javës së ardhshme me Bylisin në Kukës për të parë se çfarë do ndodhë.Në tre ndeshjet e para të kampionatit, për çudi është arritur i njëjti rezultat nga Kukësi, 0-0 teksa vërehet qartë mungesa e forcës konkluduese ndaqë klubi nuk ka bërë aq sa duhet në merkato për të gjetur sulmues cilësorë.
www.shkodrasport.com