Epoka nr.2, tashmë ka nisur. Orges Shehi ka zhvilluar stërvitjen e tij të parë në krye të Tiranës, duke hapur zyrtarisht një kapitull të ri. Fillimisht, trajneri u takua me të gjithë grupin, ndërsa më pas zhvilloi një bisedë të gjatë me lojtarët, ku kërkoi përqendrim dhe maksimumin nga secili, duke nisur që nga përballja e radhës me Vllazninë, e programuar për ditën e premte.
Rikthimi i Orges Shehit në krye të Tiranës ka sjellë menjëherë një frymë të re në ambientin bardheblu. Në stërvitjen e parë, tekniku durrsak u kujdes që fillimisht të takonte të gjithë grupin, në një moment prezantimi dhe njohjeje të ndërsjellë. Më pas, ai zhvilloi një bisedë të gjatë me lojtarët, ku theksoi qartë pritshmëritë e tij, disiplinë, përkushtim dhe maksimum në çdo seancë stërvitore e në çdo ndeshje.
Shehi kërkoi reagim të menjëhershëm, duke nisur nga përballja e radhës me Vllazninë, e programuar për ditën e premte, një sfidë delikate që mund të shërbejë si pikë kthese për skuadrën. Mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë. Rezultatet ndërtohen me punë dhe sakrificë të përditshme, ndërsa fanella e Tiranës kërkon përgjegjësi maksimale.
PUNA – Pas fjalës motivuese, ekipi u zhvendos në fushën me bar sintetik, ku Shehi dhe stafi i tij nisën menjëherë nga puna konkrete. Seanca ishte e gjatë dhe e ngarkuar, me fokus në organizimin taktik, lëvizjen me dhe pa top dhe rikuperimin fizik. Trajneri ndërhyri shpesh për të korrigjuar pozicionimet dhe për të kërkuar intensitet më të lartë, duke treguar se nuk do të tolerojë mungesë përqendrimi. Në krah të tij do të jenë Artan Karapici dhe Sebino Plaku, dy figura që pritet të sjellin energji dhe eksperiencë në grup. Ndërkohë, ndihmësit e mëparshëm të Nuhijut janë larguar, duke shënuar një shkëputje të plotë me fazën e kaluar dhe nisjen e një projekti të ri teknik.
Trajneri më rezultativ – Statistikat flasin qartë për peshën që ka pasur Shehi në periudhën e ashtuquajtur “era Halili”. Me një mesatare prej 1.85 pikësh për ndeshje, ai mbetet trajneri më rezultativ i viteve të fundit në krye të bardhebluve. Që nga viti 2021, në tri kampionate të drejtuara, ai ka arritur të fitojë një titull kampion, një arritje që riktheu entuziazmin te tifozët. Përveç kampionatit, Shehi e çoi skuadrën edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku aktivizoi një pjesë të mirë të lojtarëve të rinj, duke treguar besim te akademia dhe e ardhmja e klubit. Në bilancin e tij figuron edhe një Superkupë e Shqipërisë e fituar, ndërsa rekordi prej 981 ditësh në pankinën e Tiranës, e bën atë trajnerin më jetëgjatë në këtë periudhë.
Në total, 120 ndeshje të drejtuara, 66 fitore, 24 barazime dhe 30 humbje përbëjnë një bilanc që dëshmon stabilitet dhe efikasitet. Tashmë, me rikthimin e tij, pritshmëritë janë të larta. Shehi njeh ambientin, presionin dhe kërkesat e klubit. Ai e di se te Tirana nuk mjafton loja e bukur, kërkohen rezultate. Përballja me Vllazninë do të jetë testi i parë i kësaj faze të re, por mbi të gjitha do të jetë prova e karakterit për një skuadër që synon të rikthehet protagoniste. Epoka e re ka nisur me punë intensive dhe me një mesazh të qartë. Maksimumi nuk është opsion, por detyrim.


