FIFA ka vendosur që të rihapë merkaton për të gjithë ata futbollistë të cilët janë larguar nga futbolli profesionist në Ukrainë që nga momenti kur shpërtheu lufta në këtë vend.

Ajo kishte bërë të ditur fillimisht se do të kishte “dritë të gjelbër” për të regjistruar lojtarët ukrainas në kampionate të tjera edhe jashtë dritares së merkatos, ndërsa tani ka caktuar rregulla fikse.

“Lojtarët ukrainas mund të lejohen të regjistrohen me klube të tjera edhe nëse periudha e regjistrimit është mbyllur në Federatën ku synojnë të regjistrohen. Për më tepër, përditësimi i rregullores së parë parashikon regjistrimin e maksimumi 2 lojtarëve profesionistë”, shkruan rregullorja e përditësuar e FIFA-s.

Kështu, klubet në çdo kampionat tjetër, përfshirë edhe atë shqiptar, në çdo kohë mund të regjistrojnë maksimumi 2 lojtarë që vijnë nga futbolli profesionist në Ukrainë jashtë afateve të merkatos.