Ardian Bardhi, ish-ortak me Edmond Hasanbelliun te Teuta, ndihet kampion dhe e shpreh hapur kënaqësinë që durrsakët fituan titullin pas 27 vitesh.
Ai u nda nga klubi bregdetar pak muaj para përfundimit të sezonit dhe ka vendosur të investojë te Dinamoja, por ruan respektin më të madh për Teutën dhe presidentin e saj, Edmond Hasanbelliu.
Ky i fundit, në intervistën e dhënë dje për “Panorama Sport”, e falënderoi publikisht Bardhin për kontributin e dhënë në klub, por nuk ngurroi as t’i lëshonte një shigjetë, duke shtuar se “Bardhi u largua si tradhtar…”.
Teuta sot është kampione dhe Ardian Bardhi mendon se kjo është gjëja më e rëndësishme në këtë moment. “E lexova deklaratën e Hasanbelliut dhe ai më falënderonte publikisht. Natyrisht, sa për pjesën e tradhtisë nuk kam ndërmend të bëj polemika, por unë nuk jam tradhtar. Kam investuar në atë klub dhe kam dhënë më të mirën time.
Nëse u arrit një sukses i madh në harkun e dy viteve, kjo erdhi edhe për shkak të një bashkëpunimi të shkëlqyer mes meje dhe Hasanbelliut. Presidenti (kështu e quan Hasanbelliun) e ka merituar plotësisht një arritje si kjo. Unë kam raporte shumë të mira me të. Vërtet rrugët tona u ndanë në një pikë, por ruaj respekt dhe jemi miq me Hasanbelliun”, u shpreh Bardhi.