Goli i shënuar ndaj Korabit pasditen e së mërkurës ka qenë i parri për të në karrierë me Vllazninë. Numri është i vogël sepse luan përgjithësisht si mesfushor shkatërrues megjithatë për të, nuk ka shumë rëndësi. Florind Bardulla është i lumtur që ka shënuar por më shumë se ndihmoi skuadrën e tij të arrinte një fitore me shumë vlera. Këtë e pranon edhe ai vetë kur për gazetarët thotë:
“Ky ishte goli im i parë me Vllazninë dhe kuptohet që gëzimi ishte i madh, për më tepër që ndihmoi për arritjen e fitores ndaj Korabit. Në fakt, unë në çdo ndeshje ku kam luajtur, jam munduar t’i shërbej më tepër shokëve të mi të skuadës, ngaqë edhe pozicioni im në fushë është ai i mesfushorit. Besoj se nuk ka shumë rëndësi se kush e shënon golin, e rëndësishme është që skuadra të fitojë.Gjithsesi, golin ia dedikoj shokëve të ekipit, familjes time dhe në veçanti tifozëve të Vllaznisë të cilët në fakt duhet të jenë më të shumtë në numër, të kenë besim tek ne dhe të lënë mënjanë edhe ndonjë mosmarrëveshje që mund të kenë me ndonjë drejtues. Ata duhet t’i qëndrojnë pranë skuadrës sepse shumica e saj përbëhet nga djem të rinj dhe kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Sa për veten time, shpresoj të bëj një sezon të mirë dhe pa dëmtime sepse në sezonet e mëparshme shpeshherë kam qenë i pafat sa i takon dëmtimeve”. Mesfushori 24 vjeçar është i mendimit se trepikëshi ndaj dibranëve kishte shumë vlera e prandaj shton: “Fitorja me Korabin ishte shumë e rëndësishme e arritur ndaj një “rivali” të skuadrës sonë por realisht unë nuk mendoj se ai është rivali ynë sepse ne i kemi mundësitë për të pretenduar më tepër”. Korabi tashmë ka kaluar dhe vëmendja e kuqebluve është fokusuar tek takimi i rradhës me Skënderbeun. Bardulla duke folur në lidhje me këtë takim ka thënë: “Me Skënderbeun besoj se ka për t’u bërë një ndeshje e bukur sepse të dy ekipet luajnë një lojë të hapur dhe prandaj do prodhohet futboll. Shpresoj që në atë ndeshje të ketë edhe më shumë tifozë dhe të na japin zemër për të kërkuar fitoren. Skënderbeu nuk është ai i sezoneve të mëparshme dhe prandaj do të tentojmë për të marrë tre pikë në atë takim”.
© shkodrasport.com