Pasditen e sotme në hollin e Bashkisë Shkodër është zhvilluar ceremonia e shpalljes së “Sportistëve më të mirë të vitit 2018” të Vllaznisë. Njëkohësisht edhe e sportistëve të rinj të talentuar dhe po ashtu edhe e “Trajnerit më të mirë të vitit”. Një aktivitet ku kanë marrë shumë sportistë aktualë por edhe veteranë dhe personalitete të sportit. Ja kush janë më të mirët e përzgjedhur për këtë vit:

“Sportistët më të mirë të vitit 2018”

1.FRANKO BURRAJ (ATLETIKË)
Viti 2018 ka qenë I shkëlqyer për këtë sportist. Përveçse është shpallur kampion kombëtar në dy disiplina sportive, arritja më e madhe e tij është padyshim thyerja dy herë e rekordit kombëtar në garën e 400 metrave gjatë pjesmarrjes së tij në Lojërat Mesdhetare të Tarragonas. Një record, që kishte plot 21 vite që nuk thyhej dhe kjo realizohet pikërisht nga një sportist I talentuar si Franko Burraj që është vetëm 20 vjeç dhe ka një të ardhme të shkëlqyer përpara në këtë sport.

2.ROLAND VASIJA (XHUDO)
Sporti I xhudos në Shkodër gjatë këtyre viteve na ka dhuruar shumë rezultate të larta, shumë tituj kampion dhe medalje nga turnetë ndërkombëtarë që ka marrë pjesë. Megjithatë rezultati më I lartë sportiv I këtij sporti është arritur pikërisht nga xhudisti Roland Vasija I cili në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në muajin gusht në Maqedoni, ka zënë vendin e parë në peshën 60 kilogramë dhe është shpallur Kampion Ballkani. Rrjedhimisht e meriton një vend në mes sportistëve më të mirë të Sportklub Vllaznia dhe të gjithë Shkodrës.

3.TUAD DRINAZI (VOLEJBOLL)
Gjysma e parë e kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj ka qenë e shkëlqyer për ekipin e Vllaznisë I cili I ka fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara. Ky ekip pretendon fitoren e të dy trofeve këtë sezon dhe një nga pikat më të forta të tij është volejbollisti Tuad Drinazi. Një sportist I cili ka ardhur duke e rritur performancën e tij nga ndeshja në ndeshje dhe duke u shndërruar në një pikë të rëndësishme të ekipit.

4.ONEDA REÇI (GJIMNASTIKE)
Edhe viti 2018 nuk mund të bënte përjashtim për këtë sportiste të talentuar. Oneda Reçi është shpallur kampione kombëtare dhe njëkohësisht ka marrë trofeun e sportistes më të mirë të kampionatit. Ky I sivjetmi ka qenë I gjashti titull kampion kombëtar duke hyrë në histrorinë e gjimnastikës artistike shqiptare si sportistja me më shumë trofe të fituara.

5.MEGI DOÇI (FUTBOLL FEMRA)
Vllaznia e futbollit të femrave krenohet me një sportiste të tillë si Megi Doçi. Me golat e saj ka thyer çdo rekord në futbollin shqiptar teksa ka shënuar mbi 300 gola deri më tani. Pak ditë më parë u shpall edhe si fituese e “Topit të Artë” nga Federata Shqiptare e Futbollit, pas votimit të bërë nga të gjithë ekipet e vendit. Është një nga lojtaret më të rëndësishme edhe të ekipit kombëtar shqiptar dhe udhëheq po ashtu ekipin e Vllaznisë drejt fitores së titullit të gjashtë kampion radhazi.

6.SILVIO RODRIGUES PEREIRA JUNIOR (FUTBOLL)
Sulmuesi brazilian ka ardhur tek Vllaznia në verën e këtij viti dhe me performancën e tij ka ndihmuar që ekipi të jetë në vendin e parë të renditjes. Një sulmues me të dhëna shumë të mirë dhe mbi të gjitha një golashënues I lindur që I ka dhënë shumë pikë Vllaznisë më golat që ka shënuar.

7.INGRID DASHJA (BASKETBOLL)
Basketbolli I femrave në Sportklub Vllaznia sidomos në gjysmën e parë të këtij sezoni, ka patur një ecuri të mirë duke u renditur në mes ekipeve më të mira të vendit. Në këto suksese padyshim që rolin kryesor e ka luajtur kapitenia e këtij ekipi Ingrid Dashja, e cila me përvojën e saj ka ndihmuar njëkohësisht edhe basketbollistet e reja të ingranohen më shpejt me ekipin dhe për rrjedhojë kanë ardhur edhe këto rezultate.

8.AMELA QERSHIA (VOLEJBOLL)
Një nga lojtaret që ka spikatur tek ekipi I volejbollit të femrave të Vllaznisë gjatë vitit 2018, padyshim që ka qenë Amela Qershia. Luan në rolin e pasueses dhe ndonëse ka një moshë të re, është shndërruar në një lidere të ekipit. Është anëtare e ekipit kombëtar dhe një nga sportistet me më shumë të ardhme në volejbollin shqiptar.

9.BRUNO KOLA (ÇIKLIZEM)
Sukseset për çiklizmin shkodran nuk kanë munguar as gjatë vitit 2018 dhe në krye të tyre ka qenë padyshim kapiteni I këtij ekipi Bruno Kola. Ai ka fituar Rrethin Çiklistik të Shqipërisë dhe po ashtu, 80 për qind të të gjitha garave të zhvilluara në vendin tonë gjatë këtij viti. Konsiderohet një nga sportistët më me të ardhme në çiklizmin shqiptar, duke shpresuar kështu në rikthimin e asaj traditë të shkëlqyer që Shkodra ka patur në këtë sport për vite me rradhë.

10.DODË LEKNDREAJ (BASKETBOLL)
Vllaznia e basketbollit të meshkujve nuk ka patur një ecuri të mire, megjithatë me ndryshimet e fundit, duket se gjërat do të shkojnë aty ku duhet dhe sukseset do të rikthehen për këtë ekip. Një nga pikat më të forta të tij gjatë vitit 2018 ka qenë padyshim basketbollisti Dodë Lekndreaj, I cili nga ndeshja në ndeshje ka ardhur duke rritur performancën e tij dhe duke u kthyer në një lider të ekipit. Kuptohet që pritet më shumë prej tij dhe padyshim që ka për të dhënë më tepër, sepse dëshira dhe aftësitë nuk I mungojnë.

11.KRISTIAN FIKU (MUNDJE)
Konsiderohet një nga mundësit më me perspektivë të Vllaznisë. Edhe në kampionatin kombëtar të këtij viti ka bërë paraqitje të mirë duke u ngjitur në podium duke u vlerësuar si një nga sportistët më të mirë të peshës deri 97 kilogramë. Bashkë me kolegët e tij kontribuan që edhe Vllaznia si ekip të renditej në mes tre më të mirëve të vendit dhe kjo është një arritje duke pasë kushtet e vështira ku ky ekip bën stërvitje.



“SPORTISTET ME TE MIRE NEN MOSHEN 18 VJEÇ”

1.IZABELA DODANI (VOLEJBOLL)
Vetëm 15 vjeç por titullare e padiskutueshme e ekipit të parë të Vllaznisë në volejboll dhe po ashtu edhe kontigjent I ekipit kombëtar për të rritura. Një sportiste që vlerësohet maksimalisht nga specialistët e këtij sporti dhe me siguri që do të ketë një të ardhme të sigurtë.Ka dhënë kontributin e saj për shpalljen kampione të Vllaznisë në volejboll për të reja për vitin 2018.

2.KLEA VERRI (BASKETBOLL)
Konsiderohet një nga basketbollistet e reja më me perspektivë të Vllaznisë por edhe më tej. Një lojtare titullare edhe tek ekipi I të rriturave sepse me potencialin që ka, mund të bëjë gjëra të mëdha. Ka dhënë kontributin e saj në shpalljen kampione e Shqipërisë të ekipit të të rejave të Vllaznisë për vitin 2018.

3.HELDI VALIKAJ (ATLETIKE)
Në kampionatin kombëtar të të rinjve për vitin 2018, ka spikatur mbi të gjithë një atlet I Vllaznisë, Heldi Valikaj I cili është shpallur kampion kombëtar në tre disiplina sportive. Pikërisht në kërcim së gjati, kërcim trehapësh dhe stafetë 4 x 100 metra. Ai I dha pikët e duhura edhe Vllaznisë si ekip për t’u shpallur kampione kombëtare. Jo vetëm kaq, por me këto rezultate, atleti shkodran fitoi të drejtën për të marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike Rinore që u zhvilluan në Argjentinë.

4.SAIMIR LAGJJA (PESHENGRITJE)
Sporti I peshëngritjes në vite na ka dhuruar shumë kampionë e rekordmenë dhe pasuesi I emrave të artë të Vllaznisë mund të jetë Saimir Lagjja. Një sportist I cili po spikat me paraqitjet e tij në kampionatet e moshave ku është kampion I padiskutueshëm dhe jo vetëm kaq, por konsiderohet një element I rëndësishëm edhe për të ardhmen e ekipit kombëtar.

5.ETTORE MARKU (BASKETBOLL)
Në sportin e basketbollit një nga emrat që bie në sy tek ekipi I të rinjve dhe që premton shumë për të ardhmen, është edhe Ettore Marku. Një lojtar me vision dhe me aftësi shumë të mira. Anëtar I ekipit kombëtar të moshave dhe një basketbollist që premton shumë për të ardhmen.

TRAJNERËT MË TË MIRË
1.LEONAT KOLA (ÇIKLIZEM)
Çiklizmi në Shkodër këto vitet e fundit e ka rritur shumë nivelin e tij dhe kjo padyshim falë një brezi të talentuar sportistësh, por mbi të gjitha I punës së shkëlqyer që ka bërë trajneri Leonat Kola. Gjatë vitit 2018, Vllaznia nën drejtimin e tij ka fituar 90 për qind të të gjitha garave të zhvilluara në Shqipëri. Një tregues ky I punës së shkëlqyer të bërë dhe që premton shumë edhe për vazhdimësinë, për rikthimin e këtij sporti sërish në nivele të larta siç ka qenë në vitet ’80.

2.BRUNO RROTANI (ATLETIKE)
“Mbretëresha e sporteve” – atletika, vazhdon të jetë e tillë edhe në Sportklub Vllaznia. Në vitin 2018, ekipi I të rriturve siguroi titullin e 10-të kampion rradhazi dhe po kaq tituj ka fituar edhe me të rinjtë. Një prej trajnerëve që ka spikatur me punën e tij padyshim që ka qenë Bruno Rrotani, I cili njëkohësisht përveç të tjerëve stërvit kampionin dhe rekordmenin e Shqipërisë Franko Burraj. Kjo dyshe premton të na dhurojë rezultate të larta edhe në vitin 2019 dhe madje jo vetëm në arenën kombëtare.

3.ERMAL KRAJA (VOLEJBOLL)
Ecuria e ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë në gjysmën e parë të këtij sezoni ka qenë vërtetë surprizë. Ai I ka fituar të gjitha ndeshjet e luajtura duke u shpallur “kampion dimri”. Meritën më të madhe padyshim që në këtë mes e ka trajneri Ermal Kraja, I cili ndonëse e ka përvojën e tij të parë në krye të këtij ekipi, ka ditur të gjejë çelësin e suksesit dhe padyshim që objektivi është fitimi I të dy trofeve gjatë këtij sezoni.