Kupa e Shqipërisë në basketboll për meshkuj ka luajtur dje në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” dy takimet e ditës së katërt në Grupin A, sfida, të cilat dhuruan shumë rivalitet dhe emocione. Vllaznia është zyrtarisht jashtë këtij kompeticioni pas humbjes ndaj Teutës, teksa këta të fundit fituan ngushtë në shifrat 104-100.

Shkodranët e udhëhoqën rezultatin deri 2 minuta nga fundi, por bregdetarët përmbysën gjithçka. Takimi ishte shumë i rivalizuar, me ritëm dhe nivel loje. Kuqeblutë dukeshin gjatë gjithë kohës sikur kishin diçka më shumë, por Teuta në fund me këmbëngulje dhe maturi maksimale siguroi suksesin e katërt në grup. Takimi startoi me vrull, me të dyja skuadrat që kërkonin epërsinë e pikëve.

Fillimisht Vllaznia ishte pak më e rrjedhshme në lojën e saj, ndërsa Teuta e kishte të vështirë të depërtonte drejt koshit kundërshtar. Pjesa e parë mbyllet në shifrat 45-52 në favor të Vllaznisë. Që në fillim të periodës së tretë Teuta tregohet menjëherë shumë agresive, për të treguar se kërkon me çdo kusht përmbysjen.

Fundi i kësaj periode është shumë interesant. Disa sekonda nga fundi, Teuta afrohet deri në -1 pike(72- 73). Më pas është Pelisier, që i jep avantazhin ekipit durrsak, por, 1 sekondë nga sirena, Rakaj tenton nga një distancë e lartë dhe kalon sërish shkodranët në epërsi. Fillimi i 10-minutëshit të fundit është i qetë, ndërsa Vllaznia vendos sërish një distancë sigurie.

Por, më pak se 3 minuta nga fundi Dukre dhe sidomos Pelisier u japin avantazhin bregdetarëve, avantazh që e menaxhojnë shumë mirë deri në fund. Amerikani Dukre njeriu i ndeshjes, me 34 pikë të shënuara për bregdetarët. Te Vllaznia lojtari më i rezultativ ishte Daniel Lekndreaj me 21 pikë, i cili është rikthyer së fundmi tek shkodranët.