Besëlidhja e basketbollit të meshkujve merr edhe fitoren e dytë në kampionat. Lezhjanët vijojnë të tregojnë një formë mjaft të mirë në këtë fillimsezoni, teksa pas suksesit në Kupën e FSHB-së, tashmë koleksionuan edhe fitoren e dytë në kampionat.

Skuadra e Afrim Bilalit bëri një tjetër paraqitje bindëse, duke triumfuar ndaj një rivali direkt si Kamza në shifrat 100-69 (27- 21, 16-20, 28-20, 29-8). Edhe një herë tjetër ekipi verior shfaqi rendiment të lartë në sulm.

Besëlidhja tregoi gjithashtu sërish përgatitje më të lartë fizike se kundërshtarët, duke e bërë diferencën në gjysmën e dytë të ndeshjes, sidomos në periodën e fundit, të cilën e fitoi me plot 21 pikë epërsi, për të vulosur edhe triumfin treshifror.

Nga ana tjetër, Kamza provoi të rezistonte, por me kalimin e minutave loja e skuadrës së Eni Llazanit erdhi në rënie. I gjithë formacioni i Besëlidhjes shkoi në dopioshifër pikësh në këtë takim, ndërsa rendimentin më të lartë e kishte amerikani Weekes, autor i 27 pikëve dhe 12 kërcimeve. Për t’u theksuar është fakti që shkodrani Robert Shestani po shfaq gradualisht vlerat e tij më të mira dhe në këtë ndeshje shënoi plot 19 pikë./SHKODRA-SPORT.COM/