Vllaznia në basketboll për meshkuj ka pësuar gjashtë humbje rradhazi deri më tani në gjashtë ndeshjet e kampionatit. Në fakt, bëhet fjalë për një situatë, e cila nuk ka se ku të shkojë më keq, duke rrezikuar seriozisht rënien nga kategoria.

Kjo situatë ka ardhur nga problemet e shumta financiare që e kanë shoqëruar ekipin shkodran të basketbollit në këtë sezon sportiv, ku në pamundësi për të pasur në ekip basketbollistë cilësorë, trajneri Damian Bekteshi është detyruar të luajë me 16-vjeçarë të ardhur nga ekipi i të rinjve.

Megjithatë, duket se së fundmi ka pasur disa reagime pozitive. Fillimisht, një grup personash, përfshirë edhe vetë trajnerin Damian Bekteshi, kanë financuar për afrimin e një basketbollisti amerikan, siç është Aaron Njike, i cili në fakt ka mbërritur në Shkodër dhe po stërvitet me ekipin.

Ndërkohë, përveç kësaj, nga sa bëhet e ditur, ka pasur një reagim pozitiv edhe nga komuniteti i biznesit dhe më konkretisht nga sponsori i mëparshëm Sokol Dibra. Ky i fundit pritet të japë mbështetjen e tij maksimale për daljen nga situata e vështirë që ndodhet aktualisht basketbolli i meshkujve. Poashtu, duhet thënë se nën drejtimin e sponsorit Sokol Dibra, Vllaznia ka fituar disa trofe, qoftë kampionatin apo edhe Kupën e Shqipërisë dhe synimet pritet të jenë madhore sërish.

Me rikthimin e sponsorit Dibra, deri në fund të javës pritet të vijnë edhe dy basketbollistë të tjerë të huaj, të cilët së bashku me amerikanin tjetër, Njike, që ka mbërritur më herët në Shkodër, ka shumë mundësi të luajnë në ndeshjen e kësaj fundjave në Shkodër ndaj Besëlidhjes së Lezhës dhe pritet të formojnë një treshe cilësore në fushën e lojës. Në ndeshjen e së shtunës ndaj lezhjanëve, Vllaznia do të synojë fitoren e parë në kampionat për t’u rikthyer sa më parë aty ku duhet.
Maringlen ZHIVANI