Vllaznia e basketbollit të meshkujve arriti të marrë një fitore me shumë vlerë ndaj Teutës në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë duke e mundur me rezultatin 104-100 në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Një fitore e ardhur përmes shumë emocionesh sepse të pranishëm këtë herë në pallat të sportit kanë qenë 500-600 sportdashës, një numër ky i konsiderueshëm kur ke parasysh që ata kishin kohë që e kishin braktisur këtë ekip, nisur edhe nga rezultatet e dobëta të tij.

Me suksesin ndaj durrsakëve, ekipi kuqeblu i drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi ka fituar të drejtën për të kaluar në gjysmëfinalen e këtij kompeticioni ku do të ndeshen me skuadrën më në formë aktualisht të basketbollit shqiptar- Besëlidhjen.

Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur që kjo ndeshje të luhet ditën e premte më datë 19 janar në ora 17:00 në sallën sportive “Feti Borova”. Skuadra që do të fitojë këtë ndeshje, do të kalojë në finalen që do të luhet një ditë më pas dhe do të ndeshet me fituesen e çiftit tjetër Tirana- Kamza Basket.

Trajneri Bekteshi u shpreh se Vllaznia e ka arritur objektivin e saj, por kjo nuk do të thotë se ndaj Besëlidhjes do të futen në fushë “të dorëzuar”. Basketbollistët shkodranë do të provojnë forcën e tyre edhe ndaj lezhjanëve duke shpresuar pse jo edhe tek fitorja dhe kalimi në finale të Kupës./SHKODRA-SPORT.COM/