Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka mbyllur sezonin e rregullt me zhvillimin e javës së 22-të dhe tashmë janë përcaktuar edhe çiftet e fazës para play-off që do të fillojnë shumë shpejt ndeshjet për të përcaktuar dy skuadra e tjera që do të vijojnë garën për fitimin e titullit kampion.
Kështu Besëlidhja dhe Tirana kalojnë direkt në gjysmëfinale, si vend i parë dhe i dytë i sezonit të rregullt. Vllaznia u rendit e treta pas përfundimit të sezonit të rregullt dhe si rrjedhojë do të jetë e detyruar të luajë fazën para play-off.
Kundërshtari i saj do të jetë Teuta e Durrësit dhe ndeshja e parë në mes këtyre dy ekipeve do të luhet në Shkodër. E dyta në Durrës dhe nëse është e nevojshme, e treta do të jetë sërish në “Qazim Dervishi”. Sfida tjetër e fazës para play-off është ajo në mes Apolonisë dhe Skënderbeut.
Në rast kualifikimi ndaj durrsakëve dhe në fakt kjo pritet atëherë në gjysmëfinalen e fazës play-off, Vllaznia e drejtuar nga Eni Llazani do të përballet me Tiranën.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


